Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pas pak pritet të fillojë seanca paraprake ndaj të dyshuarit, Dalibor Spasiq, i cili u arrestua më 17 qershor nën dyshimin për sulm ndaj gazetarëve.
Këtë e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi“, nënkryetari i kësaj gjykate, Bekim Veliqi.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë pritet të mbahet te gjyqtari Xhemajl Jusufi.
Ndryshe, të shtunën, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi për arrestimin e Spasiq, duke përgëzuar policët për punën.
“Sot është arrestuar nga Policia e Kosovës në Jarinje, edhe një sulmues i gazetarëve në veri krimineli, Dalibor Spasic. Përgëzoj njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës për efikasitetin dhe punën e vazhdueshme, me qëllim të vendosjes së rendit dhe ligjit në çdo cep të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Sveçla.
Kurse, policia kishte bërë të ditur se Spasiq dyshohet se më 31 maj 2023, kishte sulmuar gazetarët e disa mediumeve në Zveçan.
“Pas sigurimit të dëshmive dhe identifikimit të personit të dyshuar, i njëjti është arrestuar sot në orët e pasdites në Jarinje dhe më pas është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme policore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, kishte njoftuar Policia.
Ndryshe, lidhur me sulmet ndaj gazetarëve në veri, është arrestuar edhe Nemanja Vllaskoviq, më 16 qershor 2023, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve më 29 maj. Kurse, sot (19 qershor), u arrestua i dyshuari i tretë për sulm ndaj gazetarëve Uros Vuksinoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve më 16 qershor.