Zgjedhjet në katër komuna veriore do të mbahen pas verës, kështu deklaroi kryeministri Kurti pas njoftimit për zgjedhje të reja dhe për reduktimin e policisë në veri të Kosovës.
Por, për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna përmendet alternativa e peticionit në mënyrë që qytetarët ta nënshkruajnë dhe kryetarët shqiptarë të japin dorëheqje pas peticionit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se mbajtja e zgjedhjeve të reja në komunat veriore nuk ka të bëjë fare me referendum, ndërsa tha se janë dy forma për organizim të zgjedhjeve të reja aje, por që fillimisht duhet edhe Serbia ta dëshmoj, (që s’e ka dëshmuar ende), që nuk do të ndërhyjë ilegalisht në zgjedhjet e komunave në Republikën e Kosovës.
Osmani ka thënë se ekzistojnë dy mundësi për mbajtje të zgjedhjeve të reja: që kryetarët të japin dorëheqje apo që qytetarët e këtyre komunave të kërkojnë përmes peticionit që të niset procedura e largimit të kryetarëve.
“Njëra mundësi është nëse kryetarët kërkojnë dorëheqje, ndërkaq iniciativa për largimin e kryetarëve tashmë është e paraparë me ligj, pra ekziston një ligj që ua njeh qytetarëve të të gjitha komunave të drejtën që përmes peticionit dhe pastaj rivotimit ta largojnë një kryetar komune përmes votës. Pra nuk është referendum, quhet kategori e largimit të kryetarit përmes procesit të rivotimit”.
Ajo ka thënë se Serbia ende s’ka shprehur gatishmërinë e saj për zgjedhje demokratike në veri.
“Serbia duhet ta dëshmojë, që s’e ka dëshmuar ende, që nuk do të ndërhyjë ilegalisht në zgjedhjet e komunave në Republikën e Kosovës. I bëjmë thirrje aleatëve tonë të bëjnë çmos që të parandalojnë ndërhyrje të tilla që shpesh kanë përfunduar me dhunë e frikësim për qytetarët e Serbisë”, ka deklaruar presidentja.
Një peticion kishte përmendur ditë më parë, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili ka thënë se zgjedhjet e parakohshme mund të zhvillohen nëse 20 për qind e votuesve në një komunë nënshkruajnë një peticion për largimin e kryetarit të asaj komune.
Ky peticion, sipas Krasniqit, do të dërgohej në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), që do ta verifikonte atë, dhe më pas do të niste një referendum me pyetjen se a duhet të shkarkohet kryetari.
Analistët politikë konsiderojnë se kryetarët e rinj nuk kanë bërë shkelje për të organizuar qeveria një peticion. Sipas tyre, asociacioni mbetet zgjidhje për serbët në veri të Kosovës.
“Serbia e paraqet problemin vetëm në mes serbëve dhe shqiptarëve”
Analisti politik, Blerim Burjani thotë se fillimisht BE dhe ShBA duhet ta sanksionojnë Serbinë për përzierje politike në jetën e serbëve të Kosovës, pastaj mund të zgjidhet problemi i veriut.
Sipas tij, zgjedhjet edhe po të caktohen, presidenti Vuçiq e ka kusht asociacionin për atë pjesë.
“Mos marrja e serbëve lokalë në zgjedhje mund ta çojë Serbinë nën sanksione, edhe pse Vuçiq është mësuar ta fsheh fajin duke thënë se serbët lokalë kosovarë vendosin vetë, realisht Serbia vendos për ata, BE dhe SHBA duhet ta sanksionojnë Serbinë për përzierje politike edhe në jetën e serbëve të Kosovës, atëherë mund të zgjidhet problemi veriut, pra kur Serbia më nuk do të ketë vendimmarrje në veri. Deri më tash Serbia e paraqet problemin vetëm në mes serbëve dhe shqiptarëve, ky nuk problem etnik, por civil dhe politikë, përkundër të gjitha të drejtave që kanë serbët lokalë, Serbia nxit konflikte në radhë të parë për të arritur qëllime autonomie pastaj me të drejta shkëputjeje nga juridiksioni shtetëror i Kosovës. Zgjedhje edhe po të caktohen mund të mos mbahen, sepse Vuçiq e ka kushtin në radhë të parë për ta themeluar asociacionin, pastaj pjesëmarrjen në zgjedhje. Pra, këto zgjedhje nuk i duhen Serbisë, as serbëve, sepse atyre iu duhen konflikte sa më shumë, të përmasave të mëdha për qëllime maskimaliste. Për këtë arsye, që moti është dashur t’u jepej një asociacion me vendimin e gjykatës kushtetuese, ata nuk e duan këtë dhe ky do të shfaq kërkesa tjera të serbëve. Pra, duhet sa më shpejt t’u ofrohet zgjidhje, e në zgjedhje ata mund të mos marrin pjesë fare, sepse nuk i duhen fare ato”, shprehet Burjani.
Blerim Burjani
Ai “fajëson” qeverinë për sanksionimin e Kosovës.
“Gabime të një pas njëshme të Kosovës e kanë sjellë Kosovën nën sanksione. Mos dija, kokëfortësia, mos kuptimi politik se çka do Serbia. Kryeministri nuk ka këshilltarë validë, edhe pse në opinion thuhet se ka një grup këshilltarësh, por ata janë jo funsionalë dhe plotësisht të padobishëm, nëse nuk dëgjohen ata këshilltarë, atëherë pse ekzistojnë. Pra, deri tani nuk ka pasur këshilltar ndikues”, pohon Burjani.
“Cila do të jetë arsyeja e shkarkimit, sipas këtij peticioni?”
Në anën tjetër, analisti politik Leon Duhanaj thotë se zgjedhjet ishin legjitime, por arsyeja e problemeve ishte legjitimiteti i mangët.
“Çështja e zgjedhjeve në komunat veriore, tashmë u shndërrua në një problem të vërtetë. Për mendimin tim, ky problem nuk do të ishte kaq i madh, sikur Qeveria e Kosovës, të vepronte siç duhej. Ne të gjithë e dimë se zgjedhjet e mbajtura ishin të rregullta dhe si të tilla u pranuar nga e gjithë bota demokratike. Arsyeja pse ndodhen problemet, ishte legjitimiteti i mangët dhe kjo u bë e qartë nga të gjithë. Në ketë rast, Qeveria u dashtë t’i organizoj qeverisjen e komunave nga vende të treta e mos të bëhej pjesë e lojës së Vuçiq për destabilizim. Vuçiq e provoi dhe Kurti e ndihmoi, në qasjen e tij destabilizuese. Tani, prapë u deshtë të tërhiqet, por prapë si me parë me targat, me dëmet e krijuara ndaj vendit. Pse Kryeministri Kurti, me vetëdije të plotë i bën këto skenare, këtë duhet pyetur atë, por që janë në dëm të interesit shtetëror dhe kombëtar, kjo nuk do koment. Tani jemi nën sanksione, jemi të detyruar të tërhiqemi dhe të organizojmë zgjedhje të reja dhe për ketë është pajtuar edhe Kurti”, deklaron Duhanaj.
Leon Duhanaj
Peticionin e qytetarëve për dorëheqjen e kryetarëve shqiptarë, Duhanaj e konsideron të pa kuptimtë dhe të rrezikshëm.
Sipas tij, është në dorën e kryeministrit Kurti nëse do ta zgjidh problemin, apo ta çojë vendin në probleme të reja.
“Ideja që tash duhet të hartuar një ligj i cili ua mundëson qytetarëve një peticion për t’i larguar kryetarët, për mendimin tim, është e pa kuptimin dhe madje prezedent i rrezikshëm për të ardhmen. Pse Qeveria duhet të organizojë dhe t’i shtyjë qytetarët në peticion, kundër kryetarëve që asnjë shkelje nuk e kanë bërë, këtë prapë mund dhe duhet ta përgjigj Kryeministri Kurti. Cila do të jetë arsyeja e shkarkimit, sipas këtij peticioni? Për mendimi tim, Qeveria e Kosovës, duhet t’i marrë garancitë e duhura nga bashkësia ndërkombëtare, që serbët do të marrin pjesë në zgjedhje dhe Serbia të mos i shti duart në proces. Të kërkojë heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe pastaj t’u kërkojë kryetarëve që të dorëhiqen për interes të vendit. Ata nuk janë kriminelë, të cilët duhet të hiqen me peticion. Ata janë kryetarë të ligjshëm dhe të zgjedhur me proces të ligjshëm zgjedhor. Nëse vendi ka nevojë për largimin e tyre, secili nga ata besoj që do të dorëhiqet me kënaqësi ( një gjë të tillë do e bëja unë, dhe besoj secili shqiptar). Në këtë kontekst, do thosha se, është në dorën e Qeverisë Kurti, ta zgjedh problemin siç duhet, ose ta çojë vendin në probleme të reja siç ka ditur ta bëj vazhdimisht”, përfundon Duhanaj.
Mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri është pikë e marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian, të arritur më 10 korrik, për shtensionim të situatës në zonën veriore.
Tensionet janë rritur atje prej fundit të majit, pasi serbët lokalë e kanë kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Ata nuk i kanë pranuar kryetarët, ndonëse i kanë bojkotuar zgjedhjet.