
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha këtë të enjte në rubrikën “Sy m’sy” se tashmë kanë përfunduar procedurat për mbylljen e TikTok.
Ai tha gjithashtu se ata që do të përdorin VPN-të falas për të aksesuar rrjetin social do të jenë nën rrezikun e hakerave, ndaj kryeministri u sugjeroi qytetarëve të qëndrojnë pa TikTok deri sa platforma të vijë në Shqipëri me një plan për adoleshentët.
“Procedura për mbylljen e Tik Tok ka përfunduar për telefonat smart dhe nga ana tjetër, dua që të gjithë ta dinë që mënyra për t’ju shmangur bllokimit duke përdorur VPN falas është shumë e rrezikshme pasi dihet botërisht se hackerat bëjnë namin në grabitjen e të dhënave të telefonit.
Kijeni parasysh këtë gjë dhe duroni pa TikTok për ca kohë deri kur të përfundojmë programin e përbashkët me kompaninë, e cila do të vijë së shpejti në Shqipëri dhe do të paraqesë planin për adoleshentët”, tha Rama.