Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Procesi i të zhdukurve ngec në dialogun Kosovë – Serbi

 
   

Prej shumë kohësh nuk është raportuar për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Mirëpo, gjatë së mërkurës, zëvendësministri i Punëve të Jashmte, Kreshnik Ahmeti, ka njoftuar se Kosova tashmë me të drejta të plota është anëtare e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur.

E përfitimet nga ky anëtarësim, i ka treguar Andin Hoti, që mban pozitën e kryetarit të komisionit qeveritar për të zhdukurit.

“Kemi kërkuar një donacion me vlerë goxha të madhe që të na ofrohet një databazë për regjistrimin e personave të zhdukur në Kosovë”, ka thënë ai.

Hoti, ka thënë se në Bruksel në takimin e fundit të kryenegociatorëve në Bruksel, në mungesë të vullnetit të palës serbe, ka dështuar të arrihet referenca e komisionit të përbashkët mes Kosovës dhe Serbisë për të zhdukurit.

“Ne presim pas harmonizimit se dje nuk kemi arrit që të dakordohemi me Serbinë për këtë, e që kjo duhet shumë shpejt të arrihej….”, ka deklaruar tutje ai.

Ndërkohë familjarët e të zhdukurve presin që ky proces te marrë epilog sa më shpejt, për çka kanë edhe besimin tek Kryeministri Albin Kurti për këtë çështje.

“Pasi që është kryeministër Albin Kurti shpresoj që ky proces do të marrë fund. Me Albinin kemi bërë edhe disa aktivitete më përpara, dhe ai i njeh këtë temë”, është shprehur Nesrete Kumnova nga Shoqata “Thirrjet e Nënave”.