
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) ka bërë të ditur sot se janë bërë ndryshime në aktet nënligjore që rregullojnë shitjet me tender publik, me qëllim të ngritjes së transparencës dhe efikasitetit në procesin e tenderimit.
Ndryshimet kryesore përfshijnë publikimin e çmimit orientues të shitjes: për çdo aset të shpallur për shitje, do të publikohet çmimi minimal orientues, duke siguruar që aseti të mos shitet nën vlerën e arsyeshme.
Kategorizimi i aseteve parasheh që çdo pronë do të klasifikohet në njërën nga kategoritë bujqësore, rezidenciale, komerciale apo industriale, bazuar në shfrytëzimin aktual dhe potencial të saj.
Ky ndryshim aplikohet për të gjitha shpalljet e ardhshme të tenderëve dhe synon të sigurojë një proces më transparent dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit, njofton AKP-ja.