Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Profesori amerikan: S’mund të ndëshkohet vetëm Kosova në dialogun me Serbinë

 
   

SHBA dhe BE duhet të ndryshojnë qasje ndaj dialogut nëse duan te shohin sukses. Kështu mendon profesori në Universitetin John Hopkins dhe eksperti për çështjet e Ballkanit, Eduard Joseph.

Joseph thotë se nuk mund të vazhdohet më me ndëshkimin e Kosovës dhe përkëdheljen e Serbisë pasi kjo nuk funksionon. Duke e vënë theksin tek marrëdhëniet e afërta të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me presidentin rus Vladimir Putin, eksperti thotë se perëndimi nuk e vuri kurrë presidentin serb përballë zgjedhjes: ”O me ne o me Rusinë”!

“Një nga gjërat që duhet të ndryshojë është se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojnë të mbajnë përgjegjëse vetëm Kosovën dhe jo Serbinë. Pra, kjo nuk mund të vazhdojë. Nëse SHBA-ja dhe BE-ja presin që me të vërtetë të kenë një përparim, nuk mund të vendosin masa për Kosovën, dhe të mos bëjnë asgjë ndaj Serbisë, dhe duke i sinjalizuar Serbisë dhe Presidentit Vuçiq se ju jeni nuk mbani përgjegjësi, ose mbani vetëm në mënyrat më minimale”.

“Pra, kjo duhet të ndryshojë. Por në mënyrë që të arrihet marrëveshja, si SHBA ashtu edhe BE duhet ta marrin atë shumë më seriozisht. Duhet të merret seriozisht fakti që një lider i një vendi refuzon të nënshkruajë këtë marrëveshje”, ka thënë Hopkins për A2CNN.

Intervista e plotë:

Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë. Çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor, e sidomos për marrëdhëniet Kosovë-Serbi?

Të gjithë duan të dinë përgjigjen e kësaj pyetjeje. Dhe përgjigja ime është e ndryshme nga njerëzit e tjerë. Unë fokusohem te vetë Donald Trump, koncepti i tij për veten. Ai është krenar për faktin se është i paparashikueshëm. Pra, kjo është karakteristika e tij kryesore në çështjet ndërkombëtare, paparashikueshmëria e tij. Pra, përgjigja për pyetjen tuaj është, ne nuk e dimë. Dhe unë i sfidoj ata që thonë se asgjë nuk do të ndryshojë me Trump ose gjërat do të ndryshojnë. Nuk e dimë përgjigjen. Ai është një personazh shumë i paparashikueshëm dhe mendoj se duhet ta shohësh nga afër. Ne duhet të shikojmë emërimet e tij. Unë mendoj se Sekretari i Shtetit Marco Rubio është një emërim që sugjeron një nivel normaliteti në politikën e jashtme të SHBA. Por megjithatë, vetë Trump mund të jetë i paparashikueshëm. Pra, është shumë shpejt, me të vërtetë, për të dhënë një përgjigje të plotë.

Kemi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë që duket se ka  ngecur. Mendoni se mund të kemi një dinamizëm të ri dhe të kemi një marrëveshje të re përfundimtare në mandatin e Trump?

Edhe këtë nuk e dimë. Por ajo që ne dimë është kjo. Në mënyrë që të ketë një zgjidhje të vërtetë dhe të kemi, për shembull, zbatimin e marrëveshjejes së normalizimit, që të ndodhë kjo, gjërat duhet të ndryshojnë. Disa gjëra duhet të ndryshojnë sepse është e qartë se ajo që është tentuar deri tani nuk ka funksionuar.

Pra, cilat janë gjërat që duhet të ndryshojnë?

Një nga gjërat që duhet të ndryshojë është se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian nuk mund të vazhdojnë të mbajnë përgjegjëse vetëm Kosovën dhe jo Serbinë. Pra, kjo nuk mund të vazhdojë. Nëse SHBA-ja dhe BE-ja presin që me të vërtetë të kenë një përparim, nuk mund të vendosin masa për Kosovën, dhe të mos bëjnë asgjë ndaj Serbisë, dhe duke i sinjalizuar Serbisë dhe Presidentit Vuçiq se ju jeni nuk mbani përgjegjësi, ose mbani vetëm në mënyrat më minimale. Pra, kjo duhet të ndryshojë. Por në mënyrë që të arrihet marrëveshja, si SHBA ashtu edhe BE duhet ta marrin atë shumë më seriozisht. Duhet të merret seriozisht fakti që një lider i një vendi refuzon të nënshkruajë këtë marrëveshje.

Kryeministri i Serbisë dërgon a letër ku thuhet se nuk është ligjërisht e detyrueshme. Nuk mund të presësh një lloj përparimi me këtë lloj qasjeje. Dhe e treta dhe e fundit, shumë e rëndësishme, atmosfera brenda Kosovës duhet të përmirësohet. Atmosfera me serbët e Kosovës. Dhe dua të përsëris, ky është në interesin strategjik të Kosovës për t’u përmirësuar dhe për t’u treguar serbëve të Kosovës dhe SHBA-ve dhe BE-së se qeveria e Republikës së Kosovës i sheh realisht serbët  si qytetarë të parë të Kosovës.

Bashkimi Europian ka tani udhëheqës të rinj, përshirë Kaja Kallas. A prisni një tjetër lloj qasje ndaj dialogut në mënyrë që të ketë sukses?

Përsëri, edhe këtu nuk mund të parashikoj diçka në veçanti. PIkë së pari, ajo që mund të them është se është inkurajuese që ish-kryeministrja Kallas vjen nga një vend që e njeh Kosovën. Kjo është shumë e rëndësishme. Paraardhësi i saj Borrell  ishte nga Spanja, pra shtet mosnjohës. Pra, kjo tashmë është shumë domethënëse. Pikë së dyti, ish-kryeministrja Kallas, që do të drejtojë politikën e jashtme të BE, vjen nga një vend që është shtet i vijës së parë me Rusinë. Pra, ajo e kupton absolutisht kërcënimin nga Rusia, kërcënimin nga narrativat pro ruse që vijnë në rajon, nga vendet që duan të  balancojnë marrëdhëniet e tyre dhe të vazhdojnë të kenë një marrëdhënie të mirë me Rusinë dhe që nuk vendosin sanksione mbi Rusinë. Unë mendoj se ish kryeministrja Kallas nuk do të dojë të përkëdhelë vendet që refuzojnë të vendosin sanksione ndaj Rusisë.

Pyetja e fundit. Vitin e ardhshëm, ndoshta presidenti Aleksandër Vuçiç do të zhvillojë një vizitë në Rusi me Vladimir Putin. Çfarë do të thotë kjo? Çfarë mesazhi përcjell?

Epo, nuk e di që kjo të jetë konfirmuar. Kjo është e para. Nuk e dimë këtë ende. E di që ka një ftesë për presidentin Vuçiç që të shkojë në këtë përvjetor të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Por për të qënë të drejtë nuk e dimë ende nëse ai do të marrë pjesë. Ai nuk mori pjesë në Samitin e Brics në Kazan. Por ajo që dimë është se Aleksandër Vulin shkon në Rusi. Ivica Daçiç besoj se ka qenë kohët e fundit në Rusi. Ne e dimë që marrëdhënia mbetet shumë pozitive. Ne e dimë se ka narrativa pro ruse këtu në Beograd , se media si Russia Today apo Sputnik kanë qenë të ftuara në konferencën e sigurisë.

Dhe ne e dimë se këto narrativa kalojnë nëpër Ballkan, nëpër vende, veçanërisht në vendet e rajonit, që kuptojnë gjuhën serbe. Pra, ne e dimë këtë pjesë dhe e dimë, natyrisht, që Serbia nuk vendos sanksione ndaj Rusisë.

Duket se Serbia është më afër Rusisë tani..

Epo, shikoni,. Unë e konsideroj këtë balancë si fals, si një lojë. SHBA dhe BE shohin rëndësinë strategjike të municioneve, municioneve serbe që shkojnë në Ukrainë dhe rëndësinë strategjike të litiumit që shkon në perëndim. Pra, municionet serbe në Ukrainë e litiumi serb në perëndim janë strategjike. Dhe për fat të keq, as SHBA-ja dhe as Bashkimi Evropian nuk i janë afruar Serbisë ashtu siç iu afruan të gjitha vendeve në rajon kur Vladimir Putin sulmoi Ukrainën. SHBA-ja dhe BE-ja nuk i kërkuan Presidentit Vuçiç, nuk i thanë atij se tani është koha të vendosë, a jeni në anën tonë? Apo jeni në anën e Vladimir Putinit? Për fat të keq, kjo pyetje nuk u bë.