Miroslav Lajçak, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka treguar për takimin të cilin në Bruksel e kishte me Gabriel Escobarin, emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor.
Lajçak ka thënë se ky takim ishte koordinues për sfidat që i presin – përmendi situatën në Veriun e Kosovës, për të cilën Lajçak thotë se de-përshkallëizmi i tij mbetet lartë në agjendën e tij.
Në lidhje me këtë, Lajçak në vazhdim paralajmëroi për takime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurtin, si dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Për këtë temë në një pronocim për “Bota sot”, ka folur profesori universitar Enver Bytyçi.
Ai u shpreh se Lajçak ka paralajmëruar një takim Kurti-Vuçiç në Bruksel, por ai takim përfundoi në margjinat e dy përfaqësuesve të të dy vendeve për dialogun.
Enver Bytyçi
Më tej, profesori thekson që asnjëri përfaqësues nuk e din ende axhenden, pasi axhenden e tyre e dikton Vuçiqi.
Asosacioni është një prej vendimeve më të rrezikshme
“Edhe para disa javësh Lajçak pati paralajmëruar një takim Kurti-Vuçiç në Bruksel, por ai takim përfundoi në margjinat e dy përfaqësuesve të të dy vendeve për dialogun. Në Ljubljanë i ngarkuari për këtë dialog, pra zoti Lajçak, takoi kryeministrin Kurti dhe më pas i tha opinionit publik se një takim midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë do të zhvillohet së shpejti. Në fakt nuk është dhënë ndonjë detaj tjetër se kur e për çfarë do të bisedohet. Mendoj se as Lajçak dhe as Borrell nuk e dine saktësisht për çfarë të bisedojnë. Atyre të dyve axhendën ua dikton Vuçiç.
Dikur nuk kishin as kundërshtarë nga pala e Kosovës për përcaktimin e asaj axhende. Çfarë thoshte presidenti i Serbisë diskutohej dhe madje edhe vendosej. Ai imponoi jo vetëm axhendën, por edhe vendimet në dëm të Kosovës. Asosacioni është një prej vendimeve më të rrezikshme, të cilin Brukseli e pranoi, sepse atëherë Daçiç dhe Nikoliç e imponuan. Hashimi e pati pranuar. Po kështu ndodhi me Hashimin, Isën e Vuçiç në vitin 2015. Na lane peshqesh “gozhdën e Nastradinit! Të njëjtën gjë synojnë edhe me zotin Kurti dhe presidenten Osmani. T’i detyrojnë që të pranojnë fillimisht federalizimin e Kosovës, ku njëra prej pjesëve prej 25 mijë banorësh të komunitetit serb ti imponohet 1.8 milionë qytetarëve të tjerë të vendit. Më pas ndarjen e territorit”, u shpreh ai.
Profesori më tej thekson që kryeministri Kurti e ka theksuar shumë herë që dëshiron ta përmbyll kapitullin me Serbinë mirëpo njejtë nuk dëshiron Serbia, për këtë arsyje këto bisedime duket që të zgjasin ende më shumë.
Kurti është i interesuar ta mbyllë kapitullin me Serbinë
“Duke qenë se axhendën e Brukselit e dikton dhe imponon me metoda fashiste Aleksandër Vuçiç, atëherë ne na mbetet vetëm të hamendësojnë se për çfarë do të mund të bisedohet. Kurti shprehu në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni shqetësimin e tij për zhvarritjen e bisedimeve. Tha në një intervistë televizive se këto bisedime duhet të përfundojnë deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo do të thotë se ai është i interesuar ta mbyllë kapitullin e Kosovës me Serbinë. Por çfarë thonë në Beograd. Deri në vitin 2026 Vuçiçi do të ketë dhimbje në dorën e djathtë. Ndërkohë dora e majtë nuk i punon atij për firmën e marrëveshjes me Kosovën.
Ky fakt është i mjaftueshëm për të kuptuar se axhenda serbe e bisedimeve është vetëm asosacioni, madje sipas projektit të Beogradit. A do të pranojë Kurti të imponohet kjo axhendë nga ana e Serbisë dhe e Lajçak?! Ta shohim! Deri tani ka thënë se nuk e pranon. Maksimumi mund të pranojë të drejta për serbët çfarë i kanë serbët në Kroaci. Por nëse ua jep edhe disa të drejta shtesë, atëherë duhet të kërkojë të hiqet e drejta e votes së dyfishtë për ndryshimet kushtetuese. Sepse të drejta ekskluzive të dubluara për minoritete nuk ka e nuk mund të ketë asnjë vend demokratik në botë. E drejta është një dhe e pandarë. Serbët ose duhet të pranojnë Planin Ahtisari dhe kushtetutën e Kosovës bazuar në atë plan, ose duhet të pranojnë të drejta si serbët e Kroacisë. Dy të drejta paralele nuk mund të kenë”, shpjegon tutje profesori.
Njerëzia dhe Serbia janë në marrëdhënie luftë me njëra-tjetrën
Sipas profesori Lajçak dhe Borrell mund të thonë që në axhendë kanë edhe çështjen e të zhdukurëve mirëpo kjo është vetëm një kurth.
Ai shtoi që Vuçiq në takimin e radhës do të kërkoj Asociacionin dhe se nuk kthehet në bisedime pa të.
“Mundet që Lajçak dhe Borrell të thonë se përveç Asosacionit do të ketë në axhendë edhe çeshtjen e të zhdukurve me dhunë nga regjimi serb i Milosheviçit. Por kjo është thjesht një intrigë. Është një kurth. Prandaj Vuçiç nuk vepron në këtë temë, temën e atyre shqiptarëve që Serbia e Milosheviçit dhe e Vuçiçit i la pa varr. Nuk vepron, sepse ky fakt e lejon atë ta përdorë “si lëshim” në bisedimet me Kosovën. Imagjino! Një president i një vendi që thotë se dëshiron integrimin europian dhe përdor fatin e viktimave të tij për të përfituar në bisedime me Kosovën! O Zot i Madh! Kur bërë Serbinë, çfarë deshe që bëre njerëzinë! Sepse njerëzia dhe Serbia janë në marrëdhënie luftë me njëra-tjetrën! Është një marrëdhënie njësoj si midis djallit dhe engjëlli! Djajtë gatisin në Beograd intrigat e asgjësimit të engjëjve, familjarëve të viktimave të veta që i kanë lënë pa varr!
A i kuptojnë këto hile Lajçak dhe Borrell? Sigurisht që po! Pse veprojnë sikur nuk e njohin realitetin? Sepse janë edhe vetë gjysëm djajjë! Nuk kanë sensin e drejtësisë! Megjithatë takime do të ketë. Ndoshta do të bëhet një takim në shtator. Por Vuçiç do të shkojë aty për të thënë se “Nuk kthehet më në bisedime, po nuk u formula asosacioni”! Kështu do të rezistojë edhe disa muaj të tjerë. Besojnë se do ta lodhin kryeministrin dhe qeverinë e presidencën e Kosovës. Të shohim nëse Kurti dhe Osmani do të lodhen ose jo. Unë mendoj dhe besoj se nuk ka lodhje në këto bisedime. Por duhet të ketë durim! Do të duhet të ruhet gjakftohtësia! Të ketë maturi, por shoqëruar me vendosmëri të pashoqe! Replika e Albinit me Brnabiq në Ljubljanë është një ndër shembujt më të sinjifikativë se si arrihet suksesi kur je i vendosur dhe nuk ke frikë”, nënvizoi profesori.
Në fund, ai përmend edhe deklaratën e fundit të Macronit duke theksuar që ajo deklaratë është nga Vuçiq.
“Megjithatë Macron kërcënoi gjoja të dy palët. Në fakt kërcënoi Kosovën, sepse Vuçiç i ka thënë Macronit se nuk ke pse interesohesh për Kosovën, kur atë e ka lënë në mes rrugës edhe Shqipëria. Sigurisht është fjala për Shqipërinë e Edi Ramës! Pra presidenti francez nuk e kërcënoi dhe nuk e ka kërcënuar kurrë Serbinë! Edhe ato të ashtuquajtura sanksione kundër Kosovës dhe ledhatimet që i bëhen mikut të Putinit e të Milosheviçit, pra Aleksandrit të Beogradit, janë vepër e Macronit”, përfundoi Bytyçi për “Bota sot”.