Profesori amerikan, Edward P. Joseph, ka dhënë një intervistë, ku ka komentuar situatën në veri të Kosovës, duke përfshirë edhe kidnapimin e tre policëve të Kosovës nga Serbia, gjë e cila ka ngjallur shumë reagime.
Në shkrimin e tij për “Foreign Policy”, të titualluar “ShBA-ja po krijon një krizë në Kosovë’’, profesori amerikan e ka quajtur dëshirën e aleatëve për sanksione ndaj Kosovës si ‘’një gabim serioz’’.
‘’Absurditeti i sanksionimit të një aleati demokrat në Prishtinë, e mbështetja e një autokrati pro-rus e manipulues si “partner më i mirë”, siç tha ambasadori Hill, duhet t’i jap një pauzë sekretarit Antony Blinken’’- ka shkruar Joseph.
Ndërsa në intervistën për ‘’The Geopost’’, Joseph ka theksuar edhe njëherë se ShBA-ja po gabon duke i lënë gjithë këtë faj Prishtinës. Tutje, profesori ka deklaruar se ShBA-ja bashkë me BE-në, sipas tij, nuk po e trajtojnë në mënyrë strategjike çështjen e Kosovës.
Kidnapimi i policëve
Joseph për kidapimin e policëve e theksoi Marrëveshjen e Kumanovës në mes Serbisë dhe NATO-s, që i dha fund bombardimeve 20 vjet më parë.
Ai u shpreh se kjo do të thotë që policia serbe duhet të qëndrojë 5 kilometra larg kufirit që e ndan Kosovën me Serbinë, duke e theksuar se “zona e gjelbër” është një pikë shumë të rëndësishme.
‘’Situata madje është përshkallëzuar në 24 orët e fundit me arrestimin e këtyre tre policëve të Kosovës. Dhe unë, si të tjerët, theksoj Marrëveshjen e Kumanovës. Kjo është marrëveshja Beograd-NATO që i dha fund bombardimeve 20 vjet më parë, Marrëveshja e Kumanovës, që krijon këtë zonë sigurie prej 5 kilometrash në terren. Është në anën tjetër të kufirit. Kjo do të thotë se policia serbe nuk duhet të jetë as brenda 5 kilometrave. Dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme’’– theksoi Joseph.
Joseph shtoi se kjo çështje tani është në duart e NATO-s dhe KFOR-it, të cilët sipas tij duhet të përdorin gjykimin e tyre profesional mbi këtë çështje.
Ai tha se edhe nëse NATO e KFOR-i nuk duan ta thonë publikisht, duhet që privatisht ta informojnë ShBA-në dhe BE-në mbi këtë çështje.
‘’Dhe kjo çështje tani është në duart e NATO-s, para së gjithash. Sepse në radhë të parë bëhet fjalë për marrëveshjen e NATO-s me Serbinë. Pra, NATO dhe KFOR-i duhet të përdorin gjykimin e tyre profesional, dhe edhe nëse nuk duan ta thonë publikisht, duhet të informojnë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera të rëndësishme të Bashkimit Evropian dhe të vërtetojnë këto fakte themelore’’- tha Joseph.
Marrëveshja e Kumanovës
Joseph kur u pyet se nëse mendon që Marrëveshja e Kumanovës është prishur, tha se nuk mund ta dijë një gjë të tillë, dhe e vetmja gjë që e di është se kushtet e Marrëveshjes së Kumanovës e krijojnë një zonë sigurie në terren, e që një gjë e tillë nuk ka ndodhur me kidnapimin e tre policëve shqiptarë.
‘’Unë nuk e di atë. Unë nuk jam në vendin e ngjarjes. Nuk e di, por nëse shikoni kushtet e Marrëveshjes së Kumanovës: krijoni një zonë sigurie në terren. Mendoni për këtë term. Shpresoj që kjo të përkthehet mirë në shqip, zona e sigurisë në terren’’- theksoi Joseph.
Ai shtoi se nëse është zbatuar Marrëveshja e Kumanovës, që krijon zonën e sigurisë prej 5km në terren, Policia e Kosovës nuk ka qenë e mundur që të shkonte aq larg, që do të thotë se NATO-ja me Kurtin e Osmanin duhet t’a theksojnë një gjë të tillë.
‘’Por nëse krijoni një zonë sigurie prej 5 kilometrash, si është e mundur që policia e Kosovës të shkojë 5 kilometra? Nuk mendoj se në Beograd po thonë fare se ka qenë 5 kilometra, kështu që NATO-ja me të vërtetë duhet ta thotë këtë dhe përfaqësuesit e Kosovës, kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani, duhet të qëndrojnë në kontakt shumë të mirë dhe të tregojnë vendosmëri shteti, për të shmangur përshkallëzimin’’- shtoi Joseph.
Situata në veri
Joseph lidhur me situatën në veri, tha se Kurti dhe Osmani duhet të ngrihen mbi nivelin e një politikani të zakonshëm, të arrijnë në nivelin e një lideri të madh në kohë kritike, ose siç quhet ndryshe, ‘’burrë shteti’’ (ang.Statesmanship).
‘’Numri dy është ajo që duhet të bëjë Prishtina dhe çfarë duhet të bëjnë kryeministri Kurti dhe presidentja Osmani. Dua të them që ju përdorni një fjalë: ‘’burrë shteti’’. ‘’Statesmanship’’, kjo është fjala që përdorim në anglisht. Do të thotë të ngrihesh mbi nivelin e një politikani të zakonshëm. Do të thotë të arrish nivelin e një lideri të madh në një kohë kritike. Sepse kjo është një situatë shumë e rëndë’’ tha Joseph.
Profesori shtoi se nuk duan që askush të plagoset apo të vritet, siç shpërtheu dhuna më 29 maj nga serbët drejt KFOR-it, pra me të vërtetë është një moment për ‘’burrë shteti’’, për komunikim shumë më të ngushtë të Kurtit e Osmanit, me ShBA-në, BE-në e NATO-n.
‘’Ne nuk duam që askush të plagoset apo të vritet, ushtarak apo civil. Pra, është me të vërtetë një moment për burrë shteti, për komunikim shumë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara dhe sigurisht BE-në dhe NATO-n. Dhe ne vërtet duhet të kërkojmë mënyra për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, por e përsëris, NATO duhet të japë një përgjigje’’- theksoi Joseph.