Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Projekti që ka kushtuar 11 milionë euro/ BIRN: Si u transformua Veliera në një “elefant të bardhë” për Durrësin

Nënkalimi në formë vele që premtonte se do ta transformonte imazhin e qytetit bregdetar është kthyer në një shembull të projekteve ku kostoja financiare nuk përkon me vlerën utilitare.

Në mbretërinë e Siamit, e cila shtrihej në territorin e sotëm të Tailandës, elefantët e bardhë vlerësoheshin aq shumë si kafshë të shenjta, saqë kur një syresh zbulohej, ai bëhej menjëherë pronë e mbretit.

Megjithatë, duke qenë se nuk mund të përdoreshin për punë, posedimi i tyre i kthente ata në një barrë financiare për monarkun.

Mbretërit e Siamit ia dhuronin elefantët e bardhë vartësve fatkeq ndaj të cilëve kishin humbur besimin, të cilët detyroheshin t’i mbanin këto kafshë duke shpenzuar pasuri të mëdha për strehimin dhe ushqimin e tyre.

Në botën moderne, termi “elefant i bardhë” shpesh lidhet me projekte ndërtimore të cilat janë shumë të kushtueshme dhe jofunksionale.

Për ekspertë dhe aktivistë të shoqërisë civile, projekti “Veliera” në hyrje të portit të Durrësit, i cili ka kushtuar rreth 11 milionë euro, tashmë është kthyer në një elefant të bardhë.

Punimet kanë hyrë në vitin e tetë dhe kanë mbërritur në fazën e tyre të fundit, por askush në qytet nuk duket i interesuar për përfundimin e tyre.

Ndërsa specialistët po montojnë pllakat drejtkëndore, konstruksioni i rëndë metalik që është ngritur në fund të Bulevardit “Epidamn” nuk tërheq vëmendjen e askujt.

“Besoj se do të ketë edhe një fazë tjetër punimesh, kur të montohen pllakat metalike në faqen e sipërme konkave të konstruksionit”, tha për BIRN inxhinieri portual Tomorr Spahiu.

Sipas Spahiut, “qindra tonelata peshë e kapriatave dhe shtyllave metalike mbi urë i shtohen hekurit të betonuar, kryesisht në zonën e nënkalimit rrugor”.

“E gjitha është superpeshë që shërben për të mbajtur nën kontroll presionin e ujërave nëntokësore në kompleksin me sipërfaqe rreth një hektar.”

Duke iu përgjigjur pyetjes lidhur me avantazhet e nënkalimit rrugor të ndërtuar nën “Velierën”, inxhinieri Tomorr Spahiu tha se “kryqëzimi mbitokësor që funksionoi disa dhjetëra vite ishte shumë i vlefshëm për lidhjet automobilistike me qendrën e qytetit, shëtitoren drejt Currilave, hyrjen e portit dhe atë të rrugës ‘Egnatia’”.

Në të njëjtën periudhë me “Velierën” në zonën bregdetare u rikonstruktua shëtitorja “Taulantia”, por kompleksi i ri rrugor e vështirësoi edhe më tej lëvizjen e kalimtarëve dhe mjeteve nga qyteti drejt bregdetit në zonën “Vollga”.

Lartësia e “Velierës”, e cila u prezantua vite më parë me emrin “Vela”, aktualisht i ka “zënë nën vehte” godinat e ndërtuara në qytetin antik gjatë pesë shekujve të kaluar, që nga Torra mesjetare deri te godinat e administratës portuale, që u ngritën pas vitit 1928.

Gjatë punimeve fillestare të Velierës, arkeologët zbuluan topa mesjetarë, gjyle, si dhe disa fortifikime, ndërtimi i të cilave në periudha të ndryshme kohore ka qenë mjaft dinamik dhe jo gjithmonë i mbështetur në linjat e mëparshme.

Sipas arkeologut që drejtoi monitorimin, prof. as. Dr. Eduard Shehi, brenda sheshit prej disa qindra metra katrore që tashmë dominohet nga ura e Velierës, në fillim të vitit 2017 u zbuluan struktura muresh dhe elemente të kulturës materiale, që i përkasin ndërtimeve romake, atyre mesjetare si dhe bastioni i periudhës osmane.

Shehi është shprehur kundër dritareve prej xhami, nga ku pretendohet se mund të shihen zbulimet pranë Velierës. “Zgjidhja më e mirë për mua si arkeolog do të ishte lënia hapur e të gjitha gjetjeve, por ky është një vlerësim që e japin edhe profesionistë të tjerë si urbanistët, arkitektët dhe inxhinierët.”

“Nga ana tjetër, e di fort mirë se dëshira e arkeologut duhet të përballet edhe me qytetin edhe me faktin se Durrësi tremijë vjeçar vazhdon të jetohet edhe sot”, tha më parë prof. as. Dr. Eduard Shehi.

Shoqëria civile, përfaqësuesit e së cilës për vite me radhë kërkuan me ngulm pezullimin e punimeve ndërtimore në të gjithë territorin e Velierës, vazhdon të kërkojë rihapjen e proceseve hetimore në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Megjithëse ngritja e Velierës ka mbërritur në fazën përfundimtare, aktivisti mjedisor Sazan Guri shprehet se “kjo nuk është një betejë e humbur”.

Sazan Guri tha për BIRN se shoqëria civile synon “rihapjen e hetimeve në të gjitha shkallët e gjyqësorit dhe nga rezultatet e tyre do të shihet mundësia për ngritjen e një padie në gjykatën ndërkombëtare”.

Guri e quan pa vlerë konstruksionin metalik të ngritur në hyrje të portit të Durrësit.

“Ndërtimi i Velierës ka marrë nga xhepat e taksapaguesve 11 milionë euro, sa dyfishi i parashikuar në fillim”, theksoi ai.

Ndërkaq, urbanistët durrsakë ndihen të shqetësuar për ndryshimet negative që kanë ndodhur në qytet gjatë dy dekadave të fundit.

Urbanisti Artan Kacani tha për BIRN se “Veliera me formën e vet të lugët ka prishur konceptin ‘Oltre Mare’ (përtej detit) që filloi në vitin 1928 me investimet italiane në skelën e vjetër të karantinës, sot kalata “0” e portit, duke vijuar me Bulevardin ‘Epidamn’”.

Sipas dr. Kacanit, në mesin e viteve 1930 filloi ndërtimi i Xhamisë së Madhe që e ruante plotësisht perspektivën.

“Pra, skela e kalatës 0, me bulevardin ‘Epidamn’, së bashku me Xhaminë e Madhe, pa humbur horizontin ‘Oltre Mare’, përbëjnë një ansambël unik urbanistik të kohës”, përfundoi urbanisti Artan Kacani./BIRN