Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokurori i Speciales: Si do kapen serbët që kryen përdhunime gjatë luftës në Kosovë

 
   

Prokurori i Prokurorisë Speciale në Kosovë Ilir Morina, ka zbuluar proceset e nisura për vendosjen e drejtësisë sa i takon dhunës seksuale gjatë luftës ku të dhënat e siguruara nga organizatat flasin për rreth 20 mijë raste.

Morina shprehet në dokumentarin “Jehona e dhimbjes” së gazetarit Andrea Danglli, se megjithëse vonë, tashmë kanë nisur disa hetime paralele të cilat intnsivisht po investigojnë disa ngjarje ku janë përfshirë ish forcat policore dhe paramilitare të ish Jugosllavisë.

“Vështirësitë janë të natyrave të ndryshme. Për perjudhën deri në qershor të vitit 2018 nuk mund të marrim ne përgjegjësi si institucione vendore sepse ishte mandat i institucioneve të tjera ndërkombëtare. Në momentin që ne morëm mandatin bëmë maksimumin për të arritur në këtë rezultat që jemi tani. Kemi ngritur gjatë vitit 2023 katër aktakuza në mungesë dhe një aktakuzë në prezencë të personit. Viti 2023 shënon vitin më të suksesshëm të jurispudencës gjyqësore në Kosovë pas për herë të parë, Gjykata Supreme e Kosovës e konfirmon dhe e vërteton me vendim përfundimtar një aktgjykim ndaj një personi të dënuar për veprën penale “Dhunë seksuale si krim i luftës”.

Sfida tjetër është mungesa e të pandehurve pasi deri më tani ne nuk kemi pasur të drejtë të ngremë akt-akuzë nëse i pandehuri nuk është prezent. Ky parim i ri procedurial ka hyrë në fuqi në shkurt të vitit 2023 dhe po flasim për perjudhë kohore një vjeçare që na ka dhënë mundësi që tani edhe t’i hetojmë rastet, edhe t’i ndërtojmë rastet edhe të ngremë akt-akuzë pa marrë parasysh nëse i pandehuri është prezent”, u shpreh Ilir Morina.

Për të, për më shumë se dy dekada, mjaft të mbijetuar të dhunës seksuale kanë heshtur si rrjedhojë e një sërë faktorësh mes turpit, stigmës apo paragjykimeve, duke vështirësuar punën e drejtësisë.

Dokumentari “Jehonat e dhimbjes”, erdhi nga gazetari Andrea Danglli në Euronews Albania, me 4 nga 20 mijë historitë e përdhunimeve gjatë luftës së Kosovës. Përmes rrëfimeve të tyre, katër të mbijetuarit e dhunës seksuale përsëritën apelin për drejtësi.

Video e dokumentarit të plotë