Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokurori merr vendim për “Lizën”, bashkëpunëtorin e Enver Sekiraqës

 
   

Me vendim të prokurorit të rastit, Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, është dërguar në ndalim për 48 orë.

Rastin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës në një njoftim në raportin 24-orësh.

Sipas njoftimit të policisë, prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e Abdullahut, të arrestuar të dielën në fshatin Batllavë të Komunës së Podujevës.

Ilir Abdullahu u arrestua nga Policia e Kosovës pas 16 vjetësh në arrati. Ndaj tij ndodhej në fuqi një urdhër-arrest i lëshuar nga gjykata.

“Në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga gjykata është arrestuar i kërkuari mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, tha sot Policia e Kosovës në raportin e përditshëm 24-orësh të saj.

I njohur me njofkën “Liza”, ai ka qenë i kërkuar nga Interpoli nën akuzën se ka organizuar vrasjen e policit, Triumf Riza, bashkë me Enver Sekiraqën.

Ai akuzohet se si grup i organizuar nga Enver Sekiraqa së bashku me Arben Berishën, Fitim Avdiun dhe Rrahim Abdullahun, kanë vrarë Triumf Rizën.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg. Ndërkaq, Enver Sekiraqa akuzohet se kishte nxitur vrasjen e Triumf Rizës. Për këtë akuzë, Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim mirëpo rasti është kthyer në rigjykim.