Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me rastin që dyshohet se kompania “Apetit” e importonte mishin nga Brazili dhe e shiste në Shqipëri si mish i prodhuar në Kosovë.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare, ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme me qëllim të grumbullimit të provave dhe informatave lidhur me këtë çështje”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Më herët, Komisioni Disiplinor në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë ka pezulluar nga puna inspektorin, i cili sipas raportimeve të mediave në Shqipëri, falsifikonte vendin e origjinës për mishin që dyshohet se kompania “Apetit” e importonte nga Brazili dhe e shiste në Shqipëri si mish i prodhuar në Kosovë.
Këtë e ka konfirmuar për Dukagjini, shefja e Kabinetit të Ministrisë së Bujqësisë, Flutur Mustafa Pllana.
Emisioni “Stop – Tv Klan” nga Shqipëria ka publikuar një hulumtim, në të cilin pretendohet se mishi i blerë nga “Apetit Group” vjen nga Brazili dhe i ndërrohet vendi i orgjinës.
Ndërkaq, kompania “Apetit Group” i ka quajtur të pavërteta raportimet.
Nga kjo kompani thonë se vetë e rrisin, presin dhe shesin mishin e viçit.
Sipas tyre, ky hulumtim i publikuar në Shqipëri erdhi pasi ata donin të depërtonin në tregun shqiptar dhe se në videon e publikuar diskutohen dy artikuj të ndryshëm, ndër to edhe bifteku i importuar nga Amerika e Jugut, të cilin thonë se e ofrojnë në treg me kushte të tjera.