Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria fillon hetimet ndaj ish-presidentit malazez, Gjukanoviç

Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë ka filluar hetimet të premten lidhur me një intervistë të ish-presidentit të Malit të Zi dhe ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Socialistëve, Milo Gjukanoviç.

Pasi të bëhet një analizë e hollësishme, prokuroria tha se do të ndërmarrë veprime të mëtejshme nëse do të konstatojë vepra të mundshme penale.

“Prokuroria i ka dhënë urdhër Drejtorisë së Policisë për marrjen dhe dorëzimin e intervistës nga portali ‘Antena M’ pranë kësaj prokurorie në formë elektronike dhe pas një analize të detajuar të intervistës do të ndërmerren masa dhe veprime të tjera nëse është e nevojshme” , thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Në një intervistë për median e njohur malazeze “Antena M”, ish-presidenti i Malit të Zi paralajmëroi për atmosferën e rënduar të kohëve të fundit në Malin e Zi.

“Revanshizmi është vetëm një emër politik për hakmarrjen. Kjo do të thotë se nuk ka vetëdije, se duhet të vihet një vijë ndarëse në praktikën malazeze të hakmarrjes. Ai që po bën këtë tani, nuk e kupton se tashmë ka nisur një faqe të re hakmarrjesh në Malin e Zi”, tha zoti Gjukanoviç në intervistën në fjalë.

Reagimi i ish-presidentit Gjukanoviç u bë pas arrestimit të zyrtarëve malazezë. Ai mbështeti peticionin dërguar Prokurorisë së Posaçme, ku kërkohej që ish-Prokurori i Posaçëm Milivoje Katniç të lejohej të hetohej në gjendje të lirë.

Zoti Katniç u arrestua më 14 prill, me kërkesë të Prokurorisë Posaçme, e cila e akuzon për shpërdorim detyre dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Atij i është dhënë masa e paraburgimit për një muaj.

Po atë ditë u arrestua ish-ndihmës drejtori i policisë Zoran Lazoviç dhe tri ditë më vonë edhe Jelena Peroviç, drejtoreshë e Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në dy vitet e fundit janë arrestuar ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë, Vesna Medenica, e cila po hetohet në gjendje të lirë, kryetari i Gjykatës Ekonomike Blazho Jovaniç, ish-drejtorët e policisë, Veselin Veloviç dhe Slavko Stojanoviç dhe ndihmësi i zotit Katniç në Prokurorinë e Posaçme, Sasha Çagjenoviç.

Të arrestuarit janë akuzuar nga qeveria e tanishme se mbrojtën pushtetin e zotit Gjukanoviç, njerëzit e tij të afërt dhe zyrtarët e DPS-së që mbanin poste qeveritare.

Zoti Gjukanoviç ishte kryetari i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në pushtet për tre dekada, kryeministër për disa mandate dhe president i shtetit.

Partia e tij humbi pushtetin në zgjedhjet e gushtit 2020, ndërsa ai përfundoi mandatin e tij si president i Malit të Zi në maj të vitit 2023 pas humbjes në zgjedhjet presidenciale.

Gjatë qëndrimit në pushtet, zoti Gjukanoviç ndërtoi marrëdhënie të mira me vendet e rajonit, me përjashtim të Serbisë. Marrëdhëniet me Beogradin zyrtar dhe me Kishën Ortodokse Serbe u përkeqësuan në vitin 2019 pas miratimit të Ligjit për Lirinë e Fesë.

Në vitin 2017, Mali i Zi nën udhëheqjen e Milo Gjukanoviçit u bë zyrtarisht vendi i 29-të i NATO-s.

Rusia reagoi ndaj anëtarësimit të Malit të Zi, duke ndërmarrë hapa praktike për ta ndëshkuar atë për radhitjen me perëndimin dhe duke përdorur edhe një përpjekje për grusht shteti në këtë vend.

Moska me ndihmën e Beogradit zhvilloi një fushatë negative ndaj Malit të Zi, e cila vazhdon edhe sot dhe mbështeti forca të ndryshme politike që kontrollohen nga këto dy vende./ VOA