Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Prokuroria kërkon dënim meritor ndaj gjashtë të akuzuarve për vrasjen në Volljakë, mbrojtja rikualifikim të veprave e lirim nga akuza

 
   

Pejë- Në fjalën përfundimtare të premten në Gjykatën Themelore në Pejë, prokurorja Lumturije Vuçetaj kërkoi dënim meritor për gjashtë të akuzuarit Nderim, Agron, Bahri, Ardit, Basri dhe Ylli Gashi, të cilët ngarkohen për vrasjen e F.H., dhe vepra tjera penale. Ndërsa, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi rikualifikim të veprave penale dhe lirim nga akuza.

Prokurorja Vuçetaj tha se të akuzuarit zgjodhën që në muajin e shenjtë të Ramazanit ta vrasin tani të ndjerin F.H., për një borxh prej 300 euro dhe një rrahje që kishte ndodhur në Itali.

“Ramazani konsiderohet si i bekuar dhe si sezon i shumëfishimit të shpërblimeve, e që këtu të pandehurit Gashi zgjodhën që në njërën prej ditëve të bekuar të këtij muaji të shuajnë jetën e një të riu vetëm 23-vjeçar, F.H., jurist i diplomuar, e që këtë humbje jete të një të riu e shuan dhe e barasvlerësuan për shkak të një borxhi 300 euro dhe një lëndimi trupor që kishte ndodhur në një vend krejt tjetër, në Itali”, tha ajo.

Sipas prokurores, faji i vetëm i tani të ndjerit ishte që mbante mbiemrin Hoxha.

Më pas, prokurorija Vuçetaj tha se pas adminstrimit të provave në këtë shqyrtim gjyqësor, dëgjimit të dëmtuarve, dëshmitarëve të shumtë dhe ekspertëve të fushave të caktuara, si dhe mbrojtjes së të pandehurve, është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë gjendja faktike si në akuzë.

Vuçetaj kërkoi nga Gjykata që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë, duke shqiptuar dënimin e merituar në raport me përgjegjësinë penale për veprat penale për të cilat akuzohen.

Ajo kërkoi që qëllimi i dënimit të jetë në proporcion me peshën e veprave penale dhe rrethanat në të cilat janë kryer veprat penale, si: shkalla e përgjegjësisë penale, motivi i kryerjes së veprës, intensitetin e rrezikut dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Fanol Krasniqi, në fjalën përfundimtare tha se janë në Gjykatë për shkak të tradhtisë, pabesisë e ligështisë së vëllezërve Gashi.

“Jemi në këtë gjykatë për shkak të veprimeve të ulëta të vëllezërve Gashi, jemi në këtë gjykatë për shkak të vrasjes pa asnjë shkak të një djaloshi të ri, e mbi të gjitha jemi në këtë gjykatë për shkak se vëllezërit Gashi, me këmbëngulje dëshironin përuljen dhe përdhosjen e nderit të vëllezërve Hoxha, duke i vrarë në sy të grave e fëmijëve”, tha avokati Krasniqi.

Ai tha se të pandehurit kishin përpiluar planin dhe ishin organizuar që në atë mënyrë të dëmtuarit t’i zënë në pritë dhe t’i vrasin ashtu siç përshkruhet në aktakuzë.

Avokati përmes fotografive të nxjerra nga video-incizimi, tregoi veprimet e të akuzuarve, për të sqaruar se si kishte ndodhur ngjarja dhe veprimet që shpien në vrasjen e viktimës dhe tentim vrasjen e dy të dëmtuarve tjerë.

Në fund, ai i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas ligjit, po ashtu sipas tij duke marrë për bazë faktin që vepra penale ishte kryer në vend publik, në muajin e shenjtë të Ramazanit në prani të grave e fëmijëve të tyre.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Nderim Gashi, avokati Emrush Kastrati, tha se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurores se kinse këtu i akuzuari Nderim dhe të akuzuarit e tjerë e kanë zgjedhur qëllimisht muajin e Ramazanit si muaj i bekuar, por, sipas tij rasti kishte ndodhur ditën kritike ishte si rast i momentit.

Kjo sipas tij vërtetohet me faktin se të gjithë të akuzuarit kishin qenë të veshur me uniformë të punës duke punuar si ndërtimtarë, e që dita kritike kishte ndodhur nga rasti i vazhdimësisë së provokimeve të palës së dëmtuar nga Mahmut Hoxha.

Avokati Kastrati po ashtu tha se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurores se vrasja ka ndodhur për një borxh prej 300 eurove. E vërteta sipas tij është e kundërta e kësaj, se vëllai i tyre Egzoni në Itali ishte rrahur pikërisht për këtë borxh nga vëllezërit e këtu të dëmtuarve.

Po ashtu, Kastrati tha se nuk qëndrojnë as pretendimet e përfaqësuesit të palës së dëmtuar se ka pasur parapërgatitje të qëllimshme nga i mbrojturi i tij dhe të tjerët.

Andaj, tha se konsideron që pala e akuzuar është trajtuar në mënyrë jo të barabartë nga Gjykata për shkak se derisa palës së dëmtuar i është dhënë mundësia që të ketë ekspertizë plotësuese mjeko-ligjore, palës së akuzuar nuk iu dha mundësia për qartësim të videos dhe një ekspertizë të re mbi armën.

Avokati Kastrati tha se aktakuza e përshkruar sa i përket të mbrojturit të tij nuk qëndron, pasi thotë që në veprimet e të mbrojturit të tij formohen elementet e veprës penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Ndërsa, i akuzuari Nderim Gashi tha se e di mirë se çka ka ndodhur në ditën kritike, qysh ka ndodhur dhe kush është fajtor. Tha se provat që janë administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor janë prova të manipuluara.

“Këto janë të manipuluara nga policia dhe hetuesia. Prej këtyre provave Prokuroria e Shtetit ka leju supozime dhe pretendime për veprat pët të cilat ne akuzohemi, prova këto që nuk janë vërtetuar në asnjë mënyrë se ne jemi fajtorë për veprat për të cilat akuzohemi”, tha i akuzuari Nderim.

Ai shtoi se kërkon vetëm drejtësi dhe të shpallet fajtor vetëm për atë për çka është fajtor.

“Dhe jo për çka akuzohemi sepse kësaj pune kam me i shku deri në fund për të dalë e vërteta. Më vjen keq për rastin”, tha i akuzuari Nderim Gashi.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Basri Gashi, avokati Ruzhdi Gashi, tha se i mbrojturi i tij akuzohet për një krim të cilin nuk e ka kryer dhe më pas sqaroi provat e Prokurorisë, me të cilat pretendon që vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.

Ai kërkoi nga Gjykata që të mbrojturin e tij Basri Gashi, ta lirojë nga aktakuza pasi që sipas tij nuk është provuar se ka kryer veprat penale për të cilat akuzohet.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agron Gashi, avokati Sherif Malushaj, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe propozoi që e njëjta të jetë pjesë e shkresave të lëndës. Ai hoqi dorë nga elaborimi i saj.

Më pas, mbrojtësi i të akuzuarit Ardit Gashi, avokati Gëzim Kollçaku, tha se kontestuese për të është se a ekziston bashkëkryerja në këtë çështje penale.

Sipas tij, pas adminstrimit të provave Prokuroria ka dështuar në mënyrë të plotë që ta vërtetojë bashkëkryerjen.

Në fund, Kollçaku kërkoi që i mbrojturi i tij të shpallet fajor për pjesëmarrje në rrahje, për shkak se thotë që ato veprime shihen në video, por sipas tij nuk ekziston bashkëkryerja.

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Bahri Gashi, avokati Gani Kelmendi, thotë se është vëretuar në shqyrtim gjyqësor se i mbrojturi i tij nuk ishte përfshirë në veprën penale vrasje dhe tentim vrasje sipas dispozitivit. Sipas tij, kjo vërtetohet edhe përmes video-incizimit, ku thotë se fare nuk shihet se i mbrojturi i tij ka marrë pjesë në këtë vrasje.

Avokati Kelmendi, propozoi që në mungesë të provave, Gjykata ta lirojë të mbrojturin e tij nga akuza për vrasje dhe tentim vrasje siç përshruhet në akuzë.

Sipas tij, nuk ka pasur në këtë rast marrëveshje, por ka qenë çështje momentale nga kalimi i të dëmtuarit Mahmut me automjet.

Në fund, mbrojtësi i të akuzuarit Ylli Gashi, avokati Taulant Rracaj, tha se i mbrojturi i tij akuzohet pa bazë për veprat penale sipas aktakzuës.

Ai tha se i mbrojturi i tij është i pafajshëm dhe se akuzohet pa të drejtë. Andaj, kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza.

Në seancën e radhës pritet të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Pejë, e përmirësuar më 3 shkurt 2023, ngarkon gjashtë të akuzuarit: Nderim Gashi, Basri Gashi, Agron Gashi, Ardit Gashi, Bahri Gashi dhe Ylli Gashi, për “Vrasje të rëndë”, “Vrasje të rëndë në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe ndihmë në kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”.

Sipas aktakuzës, të pandehurit Nderim, Basri, Agron, Ardit dhe Bahri, më 28 prill 2022, rreth orës 20:30, në fshatin Volljakë, Komuna e Klinës, në parkingun e restorantit “Villa Park”, të përgatitur pa“Ka ardh Agroni, Nderimi e ka nxjerr revolen nga çanta Mahmuti ka gjuajt në drejtim të Agronit dhe Nderimit perderisa Nderimi ishte i fundit duke raprakisht dhe duke vepruar në bashkëkryerje, e me qëllim të hakmarrjes së paskrupullt, privojnë nga jeta viktimën F.H., duke vënë në rrezik edhe jetën e personave tjerë. Kurse, Ylli Gashi akuzohet se ndihmoi në kryerjen e vrasjes, duke siguruar armën për të pandehurin Nderim.