Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit N.S., për shkak se dyshohet që kanosi me vrasje Kryeministrin, Albin Kurti.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i PSRK-së, Ekrem Lutfiu.
Sipas Lutfiut, N.S dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunë ndaj përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Special për caktim të paraburgimit ndaj të dyshuarit N.S. për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ka kryer veprën penale “Dhuna ndaj përfaqësuesve së lartë të Republikës së Kosovës, nga neni 121 lidhur me nenin 119 të Kodit nr. 06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, tha Lutfiu.
Dje, Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar N.S si të dyshuar për kanosje me vrasje ndaj Kryeministrit Albin Kurti.
“Prokuroria Speciale njofton se i dyshuari N.S. ka bërë kanosje të dhunës për vrasje ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, pasi që ka bërë një postim në rrjetin social Facebook me përmbajtje inkriminuese, si dhe, gjatë transmetimit të drejtpërdrejtë të emisionit DEBAT PLUS, të datës 30 gusht 2023, të njëjtën deklaratë i njëjti e përsëritë. Me aktvendim të Prokurorisë Speciale i njëjti është ndaluar për 48 orë”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë Speciale. /BetimipërDrejtësi