Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, pas protestës së djeshme nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kundër Ligjit për pagën minimale, thotë se protesta është e drejtë demokratike e secilit dhe se nuk ka të bëjë me procedurat Ligjore.
Sipas tij, Kuvendi është organi që i miraton Ligjet dhe i njëjti vazhdon rrugën e vet, Presidentja po ashtu kryen obligimin e saj dhe Ligji hyn në fuqi.
“Natyrisht që janë afatet ligjore dhe protestat janë e drejtë demokratike, por procedurat dhe afatet ligjore sa i përket miratimit të Ligjeve dhe hyrjes së tyre në fuqi shpalljes në fletoren zyrtare, duhet të zbatohen edhe në këtë rast sikur në çdo rast tjetër. Nuk ka lidhje, protesta është e drejtë demokratike, por nuk ka të bëjë ajo me procedurat ligjore sepse Ligji është miratuar në Kuvend, Kuvendi është organ që miraton Ligjet nuk është që në një apo më shumë ligje gjithë herë janë të kënaqur të gjithë qytetarët e vendit, Ligjet janë respektim i disponimit të një shumice të caktuar parlamentare në këtë rast, e cila i miraton ato dhe përfaqëson elektoratin, domethënë Ligji vazhdon rrugën e vet Presidentja dhe fletorja zyrtare i kryen obligimet e saj dhe pastaj hyn në fuqi, tjetër gjë janë ankesat dhe protestat që mund të bëhen, të cilat janë e drejtë legjitime e çdo qytetari”, deklaron Baraliu për Botasot.
Mallzum Baraliu
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) e ka mbajtur të shtunën një protestë në Prishtinë kundër Ligjit për pagën minimale.
Protesta është thirrur dy ditë pas miratimit të Ligjit për pagën minimale, në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, më 13 korrik. Ligji parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto, apo 250 euro neto, nga 130-170 sa është aktualisht. Mirëpo veteranët e UÇK-së janë të pakënaqur për mospërfshirjen e tyre në këto ndryshime.
Deri më 2017, pensioni i veteranëve nuk ka mundur të jetë më pak se paga minimale në Kosovë, përkatësisht 170 euro. Kjo, njëherësh, vazhdon të jetë shuma që marrin ata.
Ata patën protestuar edhe në qershor të vitit të kaluar, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të mos miratohen derisa të mos amendamentohet dokumenti.
Ndërkohë në rrjetet sociale, është bërë thirrje edhe për protestë kundër Qeverisë së Kosovës.
Në thirrje janë përmendur ato që janë konsideruar “veprime skandaloze të Qeverisë” dhe është kërkuar dorëheqja e deputetes Mimoza Kusari – Lila.
Në disa përgjime të publikuara ditë më parë nga portali Nacionale, Kusari – Lila, kryetare e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), është dëgjuar të ketë pohuar se ka komunikuar me nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, vitin e kaluar.
Nga LVV-ja, para dhe pas ardhjes në pushtet, Radoiçiq- i cili gjendet në listën e zezë amerikane – është cilësuar si kriminel që punon kundër shtetit të Kosovës.