Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Protestat në Britani, Hoxhaj: Klimë jo miqësore ndaj emigrantëve, duhet luftuar dezinformimi

 
   

Gjatë ditëve të fundit Britania është përfshirë nga trazirat, pas protestave të dhunshme kundër emigrantëve dhe myslimanëve. Kryeministri Starmer tha se po merren të gjitha masat për të vënë situatën nën kontroll. Mbi 400 persona janë arrestuar deri më tani.

Trazirat shpërthyen pas vrasjes ne thikë të tre vajzave në qytetin Southport dhe përhapjes në medias sociale të informacionit të rreme se autori ishte një emigrant mysliman i radikalizuar. Autoritetet thanë se autori i dyshuar ka lindur në Britani dhe se familja e tij ishte zhvendosur atje nga Ruanda.

Duke folur për Zërin e Amerikës,nga Londra, Prof. Andi Hoxhaj, në Kolegjin Universitar të Londrës tha se gjendja vazhdon të jetë e tensionuar dhe se në ditët në vazhdim priten protesta të tjera. Sipas tij, retorika ndaj emigrantëve është ashpëruar dhe ekstremi i djathtë në vend është përpjekur të forcojë edhe më shumë këtë klimë. Prof. Hoxhaj tha se përhapja e lajmit të rremë lidhur me autorin e dyshuar erdhi për shkak se në Britani mungon një rregullore e qartë për të parandaluar informacionet e rreme dhe se aktualisht qeveria po punon për një projekligjit të ri për të luftuar dezinformimin.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, si është situata sot? A është qetësuar gjendja?

Andi Hoxhaj: Situata tani është goxha alarmante për momentin, pritet të ketë mbi 100 protesta në ditët në vazhdim në shumë pika ku janë qendrat e emigrantëve dhe hotelet e emigrantëve për shkak se grupet e ekstremit të djathtë kanë qenë shumë të aftë për të mobilizuar të gjithë mbështetësit e tyre për t’i shtuar këto protesta dhe për të protestuar kundër emigrantëve, por gjithashtu për të protestuar edhe kundër qeverisë së re dhe shumica e këtyre mesazheve janë amplifikuar për shkak të rrjeteve sociale dhe çfarë ndodhi në Njuport afër Liverlpulit. Konteksti i kësaj është që shumica e mesazhit është dezinformues dhe problemi më i madh ka qenë se autori ishte në moshën 17 vjeçare dhe ligji britanik parashikon se kur je nën moshë nuk lejohet të jepen hollësi dhe ajo ka lejuar që të dezinformohet publiku.

Zëri i Amerikës: Retorika anti-emigrante duket se është bërë gjithnjë e më e përhapur në Britani vitet e fundit dhe disa kritikët thonë se kjo prirje ka ndikuar tek ashpërsimi i qëndrimit të mbështetësve të së djathtës ekstreme dhe në skena si ato që u panë gjatë fundjavës. Cili është mendimi juaj?

Andi Hoxhaj: Ekstremi i djathtë ka vazhduar të rritet dhe në zgjedhjet e fundit partitë e ekstremit të djathtë morën gati 4 milionë vota në Britaninë e Madhe, por për shkak të modelit se si ndahen mandatet, ata nuk mund të merrnin më shumë se 4 mandate në parlament. Retorika e tyre ka qenë shumë e ashpër dhe kjo ka qenë një nga ato episode ku ata janë munduar që të mobilizojnë të gjithë ndjekësit e tyre dhe për ta shtuar më tej. Por problemi që qëndron është se qeveria që ishte më përpara, qeveria konservatore për 14 vjet nuk ka patur një strategji që ta luftonte ekstremin e djathtë për shkak se shumë prej tyre, ishin votues të tyre që votuan për BREXIT dhe ajo ka shkuar në këtë spirale ku ne jemi këtu sot.

Aktualisht në Britaninë e Madhe pritet që parlamenti të thirret pavarësisht se ka shkuar me pushime që të bëhet një strategji se si mund të parandalohet sepse problemipër momentin është që çdo gjë është bërë në mënyrë reaktive, që ka ndodhur një problem dhe janë përpjekur për ta zgjidhë dhe një nga mesazhet për momentin është që të thirren mbi 6 mijë policë ekstra që mundet ta parandalojnë (përshkallëzimin e situatës). Por duhet një strategji dhe një debat shumë herë më i gjatë.

Zëri i Amerikës: Zoti Hoxhaj, dhuna nisi për shkak të një lajmi të rreme se autori i dyshuar i sulmit ishte një islamist radikal i cili sapo kishte mbërritur në Britani, lajm i cili u përhap me shpejtësi. Sa shqetësuese është çështja e përhapjes së dezinformimit në vend?

Andi Hoxhaj: Problemi është shumë i madh për arsye që kemi parë që kjo të rritet si prirje që gjatë kohës se BREXIT-it. Që kur ishte fushata e BREXIT që shumë nga mesazhet amplifikoheshin që ishin dezinformues që në shumë raste këto grupet merrnin mesazh dezinformues. Ne po mësojmë gjithashtu, pushtete si Rusia, Irani e kështu me rradhë po i amplifikojnë disa nga këto mesazhe kryesisht në këto grupe on line, por edhe në portale të ndryshme në Britaninë e Madhe dhe ajo duket që është goxha problematike.

Problemi gjithashtu është që ne nuk kemi patur një rregullore të saktë që mundet t’i parandalojë disa nga këto informacione dezinformuese dhe ky ka qenë edhe një nga ato problemet që pse është përhapur në këto masa. Qeveria aktuale është duke diskutuar që të sjellë një projektligj të ri dhe mendoj se ky është një debat që duhet bërë më gjerë. Siç e pamë edhe në samitin e NATO-s që u bë në Uashington, do bëhet një strategji që të gjitha vendet e NATO-s mund të parandalojnë disa nga lajmet dezinformues apo të kemi një strategji të përbashkët sepse duket që po bëhet përherë e më shumë problematike. E vetmja pozitive që është në Britaninë e Madhe në krahasim me vendet e tjera të Bashkimit Europian është që këtu nuk janë një fuqi e madhe politike dhe për momentin janë jo të fuqishëm, që mundet të kenë bllokada, por kjo nuk do të thotë që ne të ardhmen mund të behet akoma edhe më radikal.

Zëri i Amerikës: Kryeministri Starmer anuloi planin për depërtimin në Ruandë të emigratëve të paligjshëm dhe ka premtuar se do tu ulë emigracionin. Si është klima ndaj emingratëve në tërësi në vendin tuaj?

Andi Hoxhaj: Klima është jo miqësore ndaj emigrantëve, por edhe atyre që predikojnë islamin. Por kjo vjen për shkak sepse grupe të ekstremit të djathtë, por edhe qeveria konservatore, shumë nga problematikat që këtu kanë ndodhur për shkak BREXIT-it dhe sepse nuk është manaxhuar mirë ekonomia pas BREXIT-it, faji i gjithi u është hedhur emigrantëve, apo u është hedhur të huajve dhe kjo e ka rritur urrejtjen shumë herë më shumë kundrejt emigrantëve dhe një nga politikat që ka patur Partia Konservatore ishte që t’i kthente në Ruanda, por ajo më shumë ishte një politikë parandaluese që t’i kërcenonte emigrantët të mos vinin në Britaninë e Madhe, por problemi nuk është më shumë ardhja e emigrantëve në Britaninë e Madhe, por si ata duhet të integrohen në shoqëri dhe këtu ka patur një debat të gjerë për modalitetet e ndryshme. Besoj një nga problemet që duhet të zgjidhet në të ardhmen është se si mund të integrohen më shumë në shoqëri dhe si mund t’i parandalojmë disa nga këto konflikte sociale që ne po shikojmë në rrugët e Britanisë së Madhe këto ditë.