Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Protestë masive anti-Vuçiq në Beograd

Një protestë masive e qytetarëve të të gjitha grupmoshave dhe studentëve, me sloganin “E drejta jonë për të ditur gjithçka”, mblodhi sonte mijëra njerëz para RTS-së në Beograd, duke krijuar një pamje të paharrueshme solidariteti.

Vazhdon lufta për drejtësi, liri të medias dhe të drejtën për informacion, ndërsa protestat po bëhen gjithnjë e më të fuqishme në Serbi, shkruan nova.rs.

Protesta kundër presidentit serb, Aleksandar Vuçiq para televizionit publik, RTS mblodhi numrin më të madh të qytetarëve dhe studentëve në 10 vitet e fundit, duke dërguar një mesazh të qartë për autoritetet të Serbisë.

Gjatë 15 minutave heshtjeje, që jehonte në qytet, pjesëmarrësit ndezën dritat e celularëve, duke u përpjekur simbolikisht të largonin errësirën mediatike dhe të nderonin viktimat në Novi Sad.

Kjo skenë, e filmuar nga një dron, dha një mesazh të fuqishëm të një Serbie të bashkuar, që me siguri do të bëjë xhiron e botës.

Ndryshe, studentët tash e sa javë po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad.

Kujtojmë se muaj më parë 15 persona mbetën të vdekur kur u shemb streha e jashtme prej betoni e Stacionit Hekurudhor. /Telegrafi/