Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Protestojnë gazetarët: Vendimi për marrjen e licencës së Klan Kosovës, ndërhyrje në lirinë mediave

 
   

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, me mbështetjen e mediave dhe organizatave të shoqërisë civile, kanë protestuar në shenjë revolte për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Gazetarët përmes motos “Demokracia vdes në errësirë”, vendimin për Klan Kosovën e konsideruan si ndërhyrje në lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes në Kosovë.

Në mënyrë simbolike, para objektit të Qeverisë së Kosovës u vendosën edhe kamerat dhe mikrofonat e disa mediave.

Naim Sadiku nga AGK, tha se gazetarët po përballen edhe me gjuhë të ashpër dhe fushatë të egër nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Sadiku: Vendimi për marrjen e licencës së Klan Kosovës ndërhyrje në lirinë mediave

“Kemi shprehur pakënaqësinë me vendimin e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për licencën e televizionit Klan Kosova, duke e parë si një vendim të qëllimshëm politik dhe si një ndërhyrje në lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes në Kosovë. Përmes kësaj forme si Asociacioni kemi shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin me një vendim të tillë. Gjatë kësaj kohe përveç këtij vendimi gazetarët janë përballur me një fushatë të egër të partisë në pushtet. Në këtë kohë, denoncojmë këtë gjuhë të ashpër që ndodh ndaj gazetarëve dhe mediave. Njëkohësisht si Asociacion kërkojmë nga gjykata që rastin e Klan Kosovës ta trajtojë në mënyrë të drejtë”, tha ai.

Ndërkaq, drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, tha se vendimi për marrjen e licencës ndaj këtij mediumi cenon demokracinë dhe përbën një imazh të keq për Kosovën.

Syla: Ky vend duhet të mundësojë lirinë e fjalës

“Ky vend duhet të mundësojë lirinë e fjalës duhet të mundësojë demokracinë. Do të doja që mos të kishte më nevojë për këso protesta, situata dhe skandale, ku dërgohet lajme jashtë Kosovës se ky vend mbyllë media. Kjo është e rrezikshme se një qytetarë në Evropë apo kudo qoftë e hap sot internetit dhe prej lajmeve të para i del se në Kosovë është protestu kundër mbylljes së mediave. Ky është një imazh i keq për vendin tonë. Besoj se këta njerëz e kanë marrë mesazhin e kanë parë se cila është beteja jonë dhe ajo çka ne duam dhe dëshirojmë”, theksoi Syla.

Mes tjerash në protestë kishte edhe pankarta me mbishkrimet në mbrojte të vendimit qeveritar, ku shkruheshin qytetet Gjakovë dhe Pejë në gjuhën shqipe, kurse atyre me emërtime serbe i ishte vendosur një vizë e kuqe.

Po ashtu gjatë marshimit prej sheshit “Zahir Pajaziti” tek objekti i Qeverisë së Kosovës një qytetar doli përpara gazetarëve protestues, ku kishte vendosur një pankartë me emërtimin në gjuhën serbe të qyteteve të Kosovës, mirëpo i njëjti edhe me insistim të gazetarëve u largua nga protesta.