Sindikatat dhe punëtorët e kompanisë Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), kanë protestuar sot para objektit të kësaj kompanie. Ata përmes kësaj proteste kanë shprehur pakënaqësitë e shumta të tyre me kompaninë KOSTT teksa këto kërkesa ua kanë dërguar kryeshefit ekzekutiv dhe bordit të drejtorëve të kësaj kompanie.
Kryetari i sindikatës të KEK-ut, Nexhat Llumnica tha se përveç që nuk është rritur paga që nga viti 2014, sot punëtorët po kanë një pabarazi në paga. Ai shtoi se punëtorët konsiderohen si një vegël punë dhe jo si qenie njerëzore.
Llumnica: Janë aq të mjerë të shkelin të drejtën e punëtorit
“Kërkesat e juaja janë shumë të drejta dhe ligjore. Përveç se nuk është ngritur paga nga viti 2014, që i bie 10 vite, e duke kaluar nëpër inflacionin të cilin e kemi përballë të gjithë qytetarët e Kosovës, sot bëhet një diskriminim, një pabarazi e paparë më herët. Në vend se të bëjmë një ngritje për të gjithë punëtorët njëjtë, që të mos ketë pabarazi në mënyrë lineare…01:37 Ne do të fitojmë edhe përmes gjykatës, mirëpo në rast se ky menaxhment po e din që po e humb lëndën, atëherë ose po ka bashkëpunim me akterë të ndryshëm për të përfituar nga lënda për gjykata, e po e keqpërdorë detyrën zyrtare, ose janë aq të ligë, e aq të mjerë saqë të shkelin të drejtën e punëtorit, saqë e konsiderojnë punëtorin si një vegël pune e si skllav, e jo sikur punëtor e qenie njerëzore,” tha Llumnica.
Në anë tjetër, kryetari i unionit të punëtorëve të KOSTT-it, Seladin Izmaku theksoi se kërkesat e punëtorëve janë anulimi i rritjes së përshkallëzuar, zvogëlimi ndërmjet pagave, zbatimi i kontratave të punës pa sistematizim të mirëfilltë, rritje page 20 për qind për stafin jo-menaxherial dhe përfshirja e sindikatës në të gjitha vendimet e rëndësishme për punëtorët.
Izmaku: Arsyeja e kësaj proteste janë pakënaqësitë e shumta të punëtorëve në kompaninë e KOSTT-it
“Arsyeja e kësaj proteste janë pakënaqësitë e shumta të punëtorëve në kompaninë e KOSTT-it, këto janë arsyet kryesore dhe për këto arsye ne sindikatat jemi bërë bashkë dhe i kemi bërë disa kërkesa të cilat ua drejtojmë kryeshefit ekzekutiv dhe bordit drejtorëve të KOSTT-it. Kërkesat janë anulimi i rritjes së përshkallëzuar, zvogëlimi i hendekut ndërmjet pagave, zbatimi i kontratave të përkohshme për menaxhmentin e lartë dhe menaxherët, mos ndryshimi i përshkrimit të vendeve të punës pa sistematizim të mirëfilltë, zgjedhje e komisioneve përzgjedhëse të duhura, rritje page 20 për qind për stafin jo- menaxherial, vendim për fillimin e sistematizimit të mirëfilltë në kompani dhe përfshirja e sindikatës në të gjitha vendimet e rëndësishme për punëtorët, “ shtoi Izmaku.
Ai shtoi se nëse nuk do të ketë ndonjë marrëveshje deri me datën 10 shkurt, atëherë sindikatat do të vazhdojnë me hapa të tjerë më radikal.
Izmaku: Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme
“Ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet, të dy sindikatat bashkë që ta japim kontributin tonë, që të ketë marrëveshje me kryeshefin ekzekutiv dhe me bordin e drejtorëve të KOSTT-it, ne do t’i bëjmë të gjitha përpjekjet e nevojshme. Mirëpo, nëse ndodh që nuk merremi vesh, ne do të bëjmë veprime të tjera,…01:42 e kemi dhënë një afat kohorë për reflektimin të menaxhmentit të lartë të KOSTT-it dhe bordit që deri me datën 10 shkurt, një afat në të cilin, ne çdo moment jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë dhe të bëjmë marrëveshje…02:01 Nëse nuk bëhet marrëveshja, atëherë ne do të vazhdojmë me hapa të tjerë më radikal” u shpreh ai.