Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Protestuesit kundër Vuçiqit në Serbi rrethuan televizionin shtetëror dhe Kuvendin

Turma të mëdha të protestuesve që janë kundër Qeverisë së Serbië të shtunën rrethuan ndërtesën e televizionit shtetëror serb në qendër të Beogradit për të nxitur kërkesën e tyre që presidenti i tyre Aleksandar Vuçiq të mos ketë kontroll ndaj mediave kryesore.

Dhjetëra mijëra mbështetës të opozitës, disa duke brohoritur me parulla që kërkonin dorëheqjen e Vuçiqit, dolën në rrugët e përmbytura nga shiu një ditë pasi ndjekësit e presidentit organizuan një tubim po aq të madh në kryeqytet. Shumica e mbështetësve të tij u dërguan me autobus në kryeqytet nga e gjithë Serbia dhe disa shtete fqinje.

Jashtë selisë qendrore të RTS-ës, turmat fëshkëllenin dhe brohoritnin me zë të lartë. Ata thonë se televizioni shtetëror në bazë të ligjeve duhet të jetë i paanshëm si transmetues publik, por sipas tyre, ka qenë i hapur si proqeveritar.

Pas përfundimit zyrtar të tubimit, grupe të njerëzve u mblodhën para ndërtesës së Kuvendit dhe televizionit shtetëror, duke pretenduar se duan të hyjnë me dhunë në ndërtesa. Organizatorët e protestës i bllokuan ata të hynin, duke thënë se ata ishin infiltruar nga autoritetet në përpjekje për t’i portretizuar protestuesit si të dhunshëm.

Të mbajtura për herë të katërt që nga të shtënat e fillimit të majit, protestat e udhëhequra nga opozita duket se po shndërrohen në revoltën më të madhe kundër sundimit autokratik të Vuçiqit gjatë mbi 10 viteve të tij në pushtet.

Tubimet fillimisht shpërthyen si përgjigje ndaj dy të shtënave masive të njëpasnjëshme në fillim të këtij muaji që lanë 18 persona të vdekur dhe 20 të plagosur, shumë prej tyre fëmijë të një shkolle fillore.

Kërkesa të tjera të protestës përfshijnë dorëheqjen e zyrtarëve të lartë dhe heqjen e licencave për mediat proqeveritare që transmetojnë përmbajtje të dhunshme dhe që transmetojnë krimin dhe kriminelët e luftës.
Vuçiq ka akuzuar opozitën se ka keqpërdorur tragjedinë e të shtënave për qëllime politike.

Më herët të shtunën, ai dha dorëheqjen nga kryesimi i partisë së tij populiste mes planeve për të formuar një lëvizje më të gjerë politike. Vuçiq emëroi aleatin e tij të ngushtë, Millosh Vuçevi2, ministri aktual i Mbrojtjes, si pasardhës të tij./AP