Partia Socialdemokrate (PSD) është përleshur fizikisht me Policinë e Kosovës gjatë një aksioni simbolik para Qeverisë së Kosovës, ku po shënonin në automjetet zyrtare “Veç 2-3 minuta”.
Ky aksion erdhi pas publikimit të audio-incizimeve në media të shefes së Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila dëgjohet duke diskutuar me ish-deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq.
Aktivistët e PSD-së kanë kërkuar dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pasi sipas tyre ka bashkëpunuar me Listën Serbe në mënyrë të fshehur.
Aktivisti i kësaj partie, Nol Nushi ka thënë se ndërhyrja e Policisë për të mos i lënë për të kryer aksionin është i papranueshëm.
“Këso aksioni kemi bërë dhjetëra herë, kurrë nuk ka pasur ndërhyrje. Po ndërhynë se ju ka heq marrja. Nuk e ke punë t’i godasësh me boksa pas shpine, nuk është punë që ta jep detyra jote. Janë dalë përgjimet, u pa bashkëpunimi e këta merren me ne”, tha Nushi.
Edhe sekretarja e kësaj partie, Teutë Rrusta u shpreh e shqetësuar lidhur me përleshjen që ndodhi me Policinë e Kosovës.
Sipas saj, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila është koordinuar me Listën Serbe për Ligjin për paga të veteranëve.
Derisa tha se dorëheqja është me e pakta që mund të bëjë kjo qeveri, Rrusta shtoi se kjo qeveri ka punuar fshehurazi me Listën Serbe.
“Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, ka dalë duke folur me ton shumë dashamirëse me kryesuesin e Listës Srbska, i cili del që ishte një ndërlidhje me Milano Radojiçiq në ndërmjetësim për t’i koordinuar hapat si për Ligjin për paga ku bëhet fjalë për veteranë, për të cilën kemi protestuar që ata të trajtohen në mënyrë të duhur. Gjithë çfarë po shohim sot është një degradim i kësaj dhe anën tjetër këta që na kanë mbajt këtë diplomën e moralit se nuk koordinohen e nuk bashkëpunojnë, se janë autonomë dhe të pavarur, gjithë çfarë po del është se këta e bëjnë këtë gjë, por e bëjnë fshehur. E kur ju del kjo, këta e denoncojnë atë që e ka bërë të madhe. Por, duhet me pas të qartë se ‘vegëza’ është një fije që edhe heq gjithë këtë maskën e madhe që po duket se e ka ky pushtet. Le të bijë njëherë dhe përfundimisht kjo maska morale që po mbajnë këta”, tha Rrusta.
Ndërsa, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk ka menduar asnjëherë të vetme të jap dorëheqje për shkak të përgjimeve të publikuara të hënën në media. Derisa, ka shtuar se Slavko Simiq i Listës Serbe ka dashur “t’a kushtëzojë” ose “t’a kurthojë”./kp/