Aktivisti i PSD-së, Bardh Ahmeti, nga takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, rezultate pret të ketë varësisht nga sjellja e Listës Serbe në zgjedhjet në veri.
Ahmeti, thotë se kryeministri Kurti do t’i pranojë kërkesat e Bashkimit Evropian.
“Ne besojmë që Kurti do t’i pranojë kërkesat, të cilat i ka BE, deri më 14 shtator besoj që do të kemi kësi drama të cilat jemi mësuar me i pa prej Kurtit dhe Vuçiqit. Besoj që do të ketë një përballje siç jemi mësuar në konferencat pas takimeve”, tha ai.
Aktivisti, thotë se të dy liderët kanë presion, që sipas tij me gjasë edhe do të nënshtrohen.
“Për këtë do të mësojmë shpejtë, varësisht prej sjelljes së Listës Srpska se si do sillet për zgjedhjet në veri. Presioni është aq i madh sa që këta dy liderë me gjasë do të nënshtrohen. Ne kemi thënë tërë kohen që Kurti e përballon presionin deri në pikën kur e sheh që nuk ka ku shkon më, por Kurti e ka më të rëndësishme pushtetin e tij, sesa çfarëdo lloj kompromisi”, tha ai.
Sipas Ahmetit, kryeministri Kurti është lider bolshevik që nuk e lëshon pushtetin për një marrëveshje.
Pra, Kurti është lider bolshevik, i cili nuk e lëshon pushtetin e tij për një marrëveshje, përndryshe nëse potencialisht Kurti nuk ish dashtë me zbatu këtë marrëveshje të cilën e kanë arrit, Kurti nuk e kish pranu këtë marrëveshje, do të kishte propozuar tjetër lloj të bisedimeve, kish me dhënë dorëheqje qysh ka pasur mundësi, kish bë veprime tjera të cilat kishin mundur të shkojnë në shërbim të kësaj”, shtoi ai.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka njoftuar se takimi i radhës Kurti – Vuçiq do të zhvillohet më 14 shtator.