Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pse Edi Rama nuk e rrëzon dot Albin Kurtin?!

Edi Rama, që kur Vetvendosja erdhi në pushtet në Kosovë, si një koalicion i madh antikorrupsion e antiabuzie, e ka luftuar Albin Kurtin, pasi e ka parë si rrezikun eminent ndaj tij.

Albin Kurti është realisht politikani shqiptar më popullor jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjitha viset shqiptare. E veçanta e Kurtit, është se simpatia ndaj tij në hapësirën e shqiptarëve të Malit të Zi, atyre të Shqipërisë, Luginës së Preshevës, në Maqedoninë e Veriut apo diasporë, është se ai nuk simpatizohet nga aspekti ideologjik.

Edhe pse Albin Kurti nuk është një i majtë klasik në konceptin nacional, por në doktrinën ekonomike, kryeministri i Kosovës, simpatizohet pa limite ndër konservatorë, fetarë, muslimanë, katolikë, ateistë, liberal etj etj.

Pasi thelbi i doktrinës bazë të Kurtit është ajo e Rilindjes, pra një ridefinim modern i Lidhjes së Prizrenit në të gjitha vilajetet shqiptare. Ky është fakt!

Tani për të hyrë në politikë, Albin Kurti natyrisht është një mendje e shkathët, i talentuar, me aftësinë për të marrë vota andej e këtej në të gjithë spektrin politik të Kosovës. Pra edhe ndër votuesit e përkrahësve të UÇK-së, atyre të LDK-së, votuesve që janë margjinalizuar si besimtarë apo praktikantë fetarë, OJF-të e liberalët.

Në thelb, Albin Kurti bën kompromis në ideologji, por nuk lëshon në aspektin nacional të bindjeve të tij.

Për shembull Hashim Thaçi, edhe pse drenicak i konsideron komunat e veriut si “pjesë e dhuratës së Rankoviçit”.

Albin Kurti thotë që nuk e ka as ai e askush të drejtën që të bëjë pazar me trojet e Kosovës. Një lloj Arafati apo edhe Jitshak Rabini ballkanik, në logjikën normale të trajtimit të tokës dhe njerëzve.

Edi Rama, ndryshe nga Kurti, e lidh gjithçka me qendrat e pushtetit, përkrah Thaçin, opozitën e Kosovës e josh, edhe pse ajo e ka denigruar e sharë në maksimum. Madje josh dhe Vjosa Osmanin, e cila është politikanja e Kosovës që e ka fyer më shumë Edi Ramën e socialistët. E pse? Për të rrëzuar Albinin! Sepse në realitet Albin Kurti është rivali më i rëndësishëm i Edi Ramës. Ai është ai që Rama nuk është. Albini është e kundërta politike e tij. Nuk është i korruptuar, nuk jep konçensone, nuk bën kompromis për atë që beson.

Kurse Edi Rama nuk e njeh fare, po fare, bindjen dhe parimin politik. Rama shet e ka shitur këdo pranë tij vetëm për të qëndruar në pushtet. Albin Kurti, e tregoi në vitin 2020 se ikën edhe kur ka kundër Amerikën. Por që ka talentin të gjejë një aleat të ri siç ndodhi me Angela Merkelin.

E këto cilësi e kanë bërë që Albin Kurti, mund të ketë pasues edhe ideologjik e të paarsyeshëm, por që janë gati të ecin me të deri në “vdekje”. Madje edhe kur nuk është Kryeministër. E kjo u pa në zgjedhjet e vitit 2021, kur Kurti mori shumë më shumë vota se viti 2020.

Kurse Rama, në momentin që do të rrëzohet nga posti, të gjithë do e tradhëtojnë. Sepse nuk ka parime, nuk ka ide, apo bindje sesi ai e shikon Kosovën nesër. Ku ndahet Rama me Kurtin? Albini nuk do t’ia japë veriun Serbisë. Ndaj i thotë: Më njih si shtet pastaj të bëjmë Asocacionin. Këtu Albini nuk lëviz, edhe sikur ta rrëzojnë, madje edhe sikur ta vrasin. Edi Rama e di këtë, e po bën përpjekje për ta rrëzuar atë. Po nëse ndodh një trazirë e madhe nesër në veri të Kosovës, e plas ndonjë luftë e vogël? Edi Rama rrëzohet brenda natës, e Albin Kurti nëse do mund të bëhet edhe kryeministër i Shqipërisë.

Natyrisht kjo që po themi është metaforë, por fakt është se në Shqipëri mund të krijohet një shumicë politike nga e majta në të djathtë që i bashkohet kauzës së Albinit. Dhe këtë e di shumë mirë Edi Rama, ndaj po e sulmon për ta rrëzuar. Por nuk ka asnjë arsye apo kauzë me vete. Ndryshe nga Albini, që ka kauzën që e përkrahin të gjithë. Askush nuk ja konteston kauzën Albin Kurtit, thjesht merren me taktikën e tij me Ramën e ndërkombëtarët. Po mirë, pse këta nuk bëjnë negociatë me Albinin por i kërkojnë thjeshtë të zbatojë kërkesat e tyre? Sepse e dinë se Albini ka të drejtë. E pikërisht kjo është arsyeja madhore që Rama nuk e rrëzon Albinin, të lëvizë edhe njëmijë gurë. Nuk ka të drejtë!/Pamfleti