Qytetarët e Bashkimit Evropian do të votojnë nga 6 deri më 9 qershor për të zgjedhur 720 anëtarë të rinj të Parlamentit Evropian për pesë vitet e ardhshme, dhe Reuters kujton se PE është një nga tre institucionet kryesore të Bashkimit Evropian që udhëheq bllokun e 27 shtete.
Parlamenti Evropian, së bashku me qeveritë e BE-së, vendos për ligjet që lidhen me politikat e përbashkëta evropiane dhe tregun e BE-së prej gati 450 milionë banorësh.
Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të ndikojë edhe në emërimin e presidentit të ardhshëm të Komisionit Evropian, i cili është dega ekzekutive e bllokut dhe ka fuqinë e vetme për të propozuar ligje të reja të BE-së.
Ndërkohë që ende nuk ka një kërkesë formale për një gjë të tillë, grupi politik fitues i zgjedhjeve do të ketë argumentin më të fortë se kryetari i ardhshëm i Komisionit duhet të vijë nga radhët e tij.
Parlamenti i ardhshëm Evropian do të vendosë së bashku me qeveritë e BE-së për buxhetin e ardhshëm të BE-së për 2028/2034.
Buxheti i mandatit të ardhshëm afatgjatë mund të rritet dhe natyrisht do të duhet të ndryshojë për sa i përket prioriteteve të shpenzimeve, për të marrë parasysh zgjerimin e mundshëm të BE-së për të përfshirë Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
Zyrtarët dhe qeveritë e BE-së thonë se blloku duhet të ndryshojë politikën e brendshme bujqësore dhe mënyrën se si i mbështet anëtarët e tij për të barazuar standardet e jetesës në të gjithë bllokun përpara se të pranojë vende të tjera, veçanërisht ato të mëdha si Ukraina.
Shumë thonë gjithashtu se BE-ja duhet të ndryshojë gjithashtu mënyrën se si merr vendime, duke zvogëluar nevojën për unanimitet nëse anëtarësohen më shumë vende.
Nëse këto reforma propozohen në pesë vitet e ardhshme, atëherë parlamenti do të ketë një rol vendimtar në ndryshimin e tyre.