Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ka kohë që kërkon nga kryeministri Albin Kurti takim zyrtar por se ky i fundit nuk e ka pranuar asnjëherë.
Rama në intervistën dhënë për emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se është normale që një kryeministër të takohet me kryetarin e kryeqytetit dhe të diskutohet për zhvillimin e Prishtinës.
“Përveç eventeve asnjeherë nuk jam takuar me të. Kam kërkuar disa herë por që nuk më ka pranuar. Një kryetar i kryeqytetit me kryeministrin është normale që të takohen të diskutojnë për çështje të ndryshme, por nuk e di pse ende s’jemi takuar” – ka thënë Rama.
Ai ka shtuar se vetëm për festivalin “Suny Hill” janë takuar por, sipas tij, kjo ka qenë vetëm një pikë.
“Që nga atëherë s’kemi takime. Ndoshta që ka punë më të rëndësishme por edhe kryeqyteti ka një rëndësi të madhe, ka mundësi që s’jam i Vetëvendosjes, s’po takohet me mua, nuk e di, por kjo nuk duhet të jetë arsyetim për mostakim me mua” – tha ai.