Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Publicisti shqiptar: Kurti s’do t’ia falë Ramës, ja si sillet kryeministri i Shqipërisë me Kosovën

 
   

Gazetari dhe publicisti shqiptar, Ben Andoni thotë se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të refuzuar takimin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama paraqet një stad real të marrëdhënieve të sotme ndërmjet dy qeverive.

Andoni tha se Kurti nuk mund ta durojë protagonizmin e Ramës.

“Kryeministri Kurti nuk do t’ia falë Ramës pjesën e protagonizmit, por më shumë se kaq, mënyrën sesi Rama flet përballë Kosovës, sikur të jetë kryeministër i një vendi të fuqishëm evropian. Më shumë sesa inat, është pjesa e protagonizmit, që Kurti nuk mund ta durojë dot”, tha ai.

Duket se marrëdhëniet e dy qeverive tona kanë shkuar atje ku parashiheshin, thotë Andoni: te ftohtësia, “dhe më shumë se kaq, shemëria”. Ai thotë se Kosova ka kohë që e ka shprehur se dëshiron “një identitet të saj shtetëror”.

“Kryeministri Rama në çdo moment ka dashur të tregojë një lloj superioriteti mbi dhe për Kosovën dhe këtë e ka justifikuar me artikulimet e tij, qoftë në Beograd por edhe në Parlamentin Evropian. Qëndrimet kanë qenë të larta por dukshëm shumë superiore duke e xhelozuar më kot Prishtinën. Ndërkohë, Kosova ka nevojë më shumë të dëgjohet dhe të bashkëpunohet në margjinat e marrëdhënieve, ku Kosova ka kohë që po tregon se do një identitet të saj shtetëror. Përrallat me vëlla nuk shkojnë më. Tirana dhe Prishtina janë kryeqytetet e dy shteteve shqiptare, me shumë afërsi, por edhe problematika, që janë shfaqur në histori, kulturë dhe mbi të gjitha në ekonomi”, tha Andoni.

Për ta shpjeguar gjithë këtë, Andoni thotë se Kurti dhe Rama mendojnë për figurat e tyre mbi marrëdhëniet ndërshtetërore. Ai thotë se nuk ka parime mes të dyve, përveçce “përpjekje për protagonizëm”.

“Mandati i tretë i Ramës dhe i dytë i Kurtit nuk po tregojnë ndonjë gjë më shumë sesa faktin se ata mendojnë më shumë për figurat e tyre, sesa shtratin e një marrëdhënie të madhe, siç edhe na takon në të vërtetë. Nacionalizmi i këtej dhe andej kufirit vjen si karshillëk me BE-në dhe pastaj për të përmbushur dëshirat e një pjese të popullsisë që është shumë patetike. Nuk ka parime mes Ramës dhe Kurtit, por ka përpjekje për protagonizëm të parë. Vetëm se problemi është që Shqipëria është në NATO dhe kontribuon për të, kurse Kosova ka një nga bazat më të mëdha të NATO-s dhe ruhet prej saj. Duket se Kurti nuk e duron dot këtë sens protagonizmi të Ramës”, tha Andoni.