Democracy Plus, mban konferencë për media ku do të publikojmë analizën e shkurtër në lidhje me problemet kryesore në zbatimin e planeve vjetore të prokurimit publik në ndërmarrjet publike.
Planifikimi i prokurimit publik është procesi i identifikimit në detaje të arsyeshme i të gjitha furnizimeve, shërbimeve dhe punëve që autoritetet kontraktuese (AK) parashohin t’i prokurojnë gjatë një viti. Sipas Ligjit për Prokurimin Publik (LPP), të gjitha AK-të në Kosovë duhet të përgatisin planifikimin paraprak të prokurimit jo më pak se 30 ditë para fillimit të çdo viti fiskal.
Problemi kryesor me planet vjetore të prokurimit është se ato nuk po arrijnë të zbatohen në praktikë, me pjesën më të madhe të kontratave të cilat nuk iniciohen sipas planifikimit fillestar.
Përqindja e ulët e realizimit të planeve dhe planifikimi joefektiv po rezulton në mos shpenzim të buxhetit që përkthehet në vonesa dhe anulime të projekteve, të cilat pastaj ndikojnë në kufizimin apo uljen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, ngritjen e kostos për projekte dhe për mirëmbajtje të shërbimeve ekzistuese
Në këtë raport të shkurtër,D+ ka llogaritur nivelin se sa kanë arritur të zbatojnë në praktikë planet vjetore të prokurimit, tri ndërmarrje publike (Hortikultura, Trafiku Urban dhe Ibër Lepenci), duke matur numrin dhe vlerën e aktiviteteve të hapura të cilat ishin të planifikuara për kontratat e planifikuara për periudhën gjashtë mujore 1 janar – 30 qershor 2023.