Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Pula: Faktorit ndërkombëtar i mungon korrektësia për përmbylljen e vlerësimit të sulmit në Banjskë

 
   

Analisti politik, Shqiprim Pula ka vlerësuar se faktorit evropian dhe atij ndërkombëtar i mungon vullneti dhe korrektësia karshi Kosovës për ta përmbyllur vlerësimin mbi sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

Kjo pasi sipas Pulës, tashmë institucionet e vendit i kanë identifikuar grupet terroriste serbe të cilat siç tha ai, prej kohësh kanë qenë të organizuara.

“Qartazi duket që faktori evropian dhe ai ndërkombëtar, sikur u mungon vullneti, u mungon korrektësia karshi Kosovës për ta përmbyllë vlerësimin. Sepse ne jemi dëshmitarë që nga 24 shtatori për epitetet që i janë dhënë asaj ngjarje, dhe deri më tash nuk ka një përmbyllje formale se çfarë realisht ka qenë, po flas gjithmonë nga këndvështrimi i evropianëve dhe ndërkombëtarëve.

Arsyeja pse po e them këtë, sepse nga të gjitha të gjeturat që institucionet e vendit në vendngjarje, por edhe më gjerë i kanë gjetur, i kanë identifikuar, i kanë sekuestruar deri më tash tregojnë qartazi që grupet parashtetërore serbe ne veriun e vendit prej kohësh madje një kohë mjaft të gjatë kanë qenë mirë të organizuar e të pajisur. Dhe kur shihet sasia dhe cilësia e armatimit të len të kuptosh që dora e shtetit serb ka qenë vërtetë e involvuar”, tha Pula.