Shqiprim Pula, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka thënë se në veri ka pasur një skenar të orkestruar nga Beogradi zyrtar për të paraqitur një situatë jo stabile dhe me plot probleme atje.
“E dimë që atje ka pasur grupe para shtetërore serbe që kanë qenë mirë të organizuara dhe me një logjistikë që kanë orkestruar një skenar dirigjimi me dirigjimin e Beogradit zyrtar për të paraqitur një situatë jo stabile me plot probleme atje, dhe natyrisht ka një paraqitje kamuflazhi në kuptimin e mbrojtjes së serbëve”, ka thënë Pula në Info Magazinë.
Pula tha se tash e 12 vjet që dialogojnë Kosova e Serbia rezultatet janë krejtësisht minimale kur kihet parasysh se në cfarë gjendje ndodhet veriu.
“Situata që nga 29 maji na ka pasqyruar një realitet krejtësisht tjetër nga pala Serbe kundrejt Kosovës, dhe natyrisht që kjo e zbeh vullnetin politik dhe si rezultat i kësaj edhe arsyeshmërinë e takimeve që do të duhej të ishin përmbajtjesore pra të prodhonin rezultate pozitive sepse jemi në një proces dialogimi tash e 12 vjet dhe rezultatet janë krejtësisht minimale kur kihet parasysh se në çfarë gjendje e kemi veriun e vendit dhe në çfarë gjendje veriu i vendit ka ardhur nga pala serbe”, ka thënë ai.
Sipas Pulës, të gjitha ato veprime të dhunshme të serbëve, eskalime të situatës dhe sulmet që janë bërë pasqyron një qasje jo fqinjësore e konstruktive nga ana e Serbisë.
Ai shtoi se ftesa që u bë nga Brukseli zyrtar ndaj kryeministrit të vendit për takim ka qenë një pjesëmarrje në nivelin e kurtuazisë dhe në nivelin e respektimit të ftesave që e do edhe protokolli, por, sipas tij, pavarësisht kësaj, e rëndësishme është që palët e kanë dëgjuar njëra-tjetrën mbi arsyet, kërkesat dhe rrugën që do të duhej të ndiqej për të ardhur në një përfundim që duhet të jetë pozitiv.
Pula theksoi se Serbisë duhet t’i bëhet trysni që ajo t’i bindë serbët e Kosovës për qetësi.