Pas rreth 8 muajsh nga vrasja e Petrit Cakës, policia italiane ka arrestuar bashkëshorten tij si organizatoren e vrasjes, si dhe dy nga tre bashkëpunëtorët e saj.
Shqiptari Petrit Caka u gjet i vrarë më 13 dhjetor 2022 në banesën e tij në Rocca Priora, në Ital. Viktima u gjet me plagë në fytyrë dhe trup, të cilat ishin shkaktuar nga një thikë.
Sipas raportimeve nga ANSA, gruaja kishte thirrur të vëllanë dhe mikun e tij nga Shqipëria për të kryer krimin, në shenjë hakmarrjeje të viteve të keqtrajtimit dhe dhunës që bashkëshorti Petrit Caka kishte ushtruar ndaj saj.
Mësohet se autoritetet italiane, kanë firmosur urdhër arrest në burg për 4 shtetas shqiptarë, gruaja e viktimës, i vëllai, bashkëpunëtori dhe një djalë tjetër i cili është kujdesur për kthimin e vrasësve në Shqipëri, pasi u krye krimi.
Sipas hetimeve të kryera, vëllai dhe bashkëpunëtori në dhjetorin e vitit të kaluar kishin mbërritur në Itali nga Shqipëria, dhe tre ditë më vonë më 13 dhjetor, të dy dyshohet se kanë inskenuar grabitjen në shtëpinë e 49-vjeçarit dhe kanë vrarë me thikë Petrit Cakën.
Më pas dy autorët janë kthyer në Shqipëri duke u ndihmuar nga një bashkatdhetar tjetër.
Nëpërmjet pamjeve të siguruara nga kamerat e sigurisë, është bërë i mundur identifikimi autorëve si dhe mjetet të cilat kanë përdorur.
Gruaja e viktimës dhe 2 prej shqiptarëve janë ndaluar në Itali, ndërkohë i vëllai i saj është shpallur në kërkim.