Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Punëtorët e KEK-ut marrin premtim për ngritjen e pagave, protesta nuk do të ketë deri në dhjetor

Sindikata e KEK-ut ka dhënë detaje lidhur me anulimin e protestës së sotme, duke thënë se janë pajtuar me menaxhmentin dhe bordin e kësaj ndërmarrje se gjatë muajve nëntor dhe dhjetor, do të jenë në negociata për ngritjen e pagës, në të kundërtën kanë paralajmëruar vazhdimin e veprimeve sindikale.

Kryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, në një intervistë për KosovaPress, ka konfirmuar se protesta është shtyrë, pasi që kanë marrë zotim se kërkesat e tyre do të plotësohen gjatë muajve në vazhdim.

Llumnica tha se kërkesa kryesore e tyre është ngritja e pagave të punëtorëve të KEK-ut, dhe nëse deri në dhjetor nuk plotësohet kjo kërkesë, ai tha se do të vazhdojnë me protesta.

Llumnica: Kemi marrë zotim se kërkesat e KEK-ut, do të plotësohen muajve në vazhdim

“Kërkesat e tona, d.m.th të Sindikatës janë të shumta, mirëpo kërkesa ndër to ka qenë rritja e pagave. Dje kemi biseduar me kryesuesin e bordit dhe menaxhmentin e KEK-ut, ku ata janë zotuar që gjatë muajit nëntor dhe dhjetor do të jemi në dialog në vazhdimësi dhe do të negociojmë për ngritjen e pagave dhe kërkesat tjera, me qëllim që të evitojmë këto protesta. .. I kemi hapur rrugë dialogut, ata u zotuan që të angazhohen për realizimin e drejtë të kërkesave të punëtoreve dhe ne e bëmë një marrëveshje që të shtyjmë protestën, në rast se nuk ka rrije të pagave, në rast se nuk ka realizim të kërkesave, ne do të vazhdojmë përsëri me aktivitete tona. Mirëpo kësaj radhe kemi besim të fuqishëm për arsyeje se ishte edhe kryesuesi bordit dhe menaxhmenti, kështu që është një zotim që na la shpresë”, tha Llumnica.

Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Llumnica shtoi se sindikata është e gatshme për dialog dhe për të shtjelluar çështjet financiare.

Llumnica: Nëse nuk plotësohen kushtet, do të vazhdojmë me protesta

Ne kemi me prit deri diku, ku fundi dhjetorit në rast se nuk ka nuk ka ngritje të pagave, ne do të jemi prapë në protestë që nuk i konvenon askujt kjo, mirëpo besoj se kemi gjetur mirëkuptimin me menaxhmentin dhe bordin e KEK-ut… Ne nuk kemi pas kusht për ngritjen të pagave. Ne kemi pasur dëshirë të negociojmë për çështjen e pagave t’i shohim mundësit financiare bashkërisht dhe jo të i qesim prag dhe mos të i japim mundësi negocimi… Ata na lutën që të negociojmë në vazhdimësi deri në fund të dhjetorit të bëjmë aprovimin e skemës organizative, pastaj të ndodhin gjëra tjera dhe jemi dakord t’i presim deri atëherë, në rast se atëherë nuk ka, ne do të vazhdojmë më aktivitete sindikale”, shtoi Llumnica.

Përveç ngritjes së pagës, punëtorët e KEK-ut, po kërkojnë edhe pagesën e fundjavave për punëtorët dhe kushte më të mira për punë.