Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Punëtorët teknikë pritet të dalin në grevë më 3 shtator, kërkojnë rritje pagash

 
   

Më 3 shtator, punëtorët teknik pritet të hyjnë në grevë me kërkesën për rritje pagash. Ata nuk janë të kënaqur me rrogën prej 270 euro sa marrin tani, derisa kryetari i Sindikatës së sektorit privat në Kosovë, Jusuf Azemi e quajti qesharake shumën prej 6.8 euro më shumë në pagë.

Fazli Idrizi së bashku me punëtorë të tjerë teknik dhe ata të sigurimit fizik të disa shkollave dhe të të gjitha Qendrave të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, kanë zgjedhur t’i shpalosin edhe njëherë pakënaqësitë e tyre sa i përket pagave.

Ai punon që 26 vjet në shkollën fillore “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

“Arsyeja që jemi na në grevë me 3 shtator është se premtimet që na i ka dhënë komuna se do të ketë rritje të pagës më 1 shtator, kjo nuk është, nuk ka rritje. Nuk i kemi drejtat e barabarta me punëtorët të cilët janë me komunë, kem punëtorë në shkollë që e merr pagën 380 euro kurse ne e marrim 270 euro të njëjtën punë e bëjmë, të njëjtën shkollë, të njëjtin vend”, ka thënë Fazli Idrizi, punëtor teknik në shkollën “Pjetër Bogdani”.

Idrizi thotë se e ka të vështirë t’ia dalë mbanë me pagë 270 euro në muaj.

“Pyetni kryetarin Përparim Rama si mundet me 270 euro mi bo pagesat e tatimet, të rrymës e kto edhe me mbajt një fëmijë se jo ma shumë apo veç vetëm a i dalin”, deklaroi ai.

Se punëtorët teknikë do të hyjnë në grevë më 3 shtator e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së sektorit privat në Kosovë, Jusuf Azemi.

“Ne normal që kemi marrë vendim që nga 3 shtatori që të hyjmë në grevë. Do të hyjnë në grevë të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, shkolla “Dardania” “Pjeter Bogdani” “Naim Frashëri” “Shkolla e Gjelbërt” “Hoxhë Kadri Prishtina” “Avdyl Frashëri” dhe gjithë punëtorët e QKMF në Prishtinë”, ka thënë Azemi.

Derisa e quan qesharake shumën prej 6.8 euro më shumë më pagë, pas hyrjes në fuqi të Ligjit për pagën minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

“Realisht ne mendojmë që kjo rritje prej 6 euro e 80 cent është diçka qesharake që vërtetë nuk e di se si nuk iu vie keq të dalin ta reklamojnë këtë”, theksoi Azemi.

Qeveria ka marrë vendim që paga minimale të jetë 350 euro bruto në muaj për punë me orar të plotë. Ky vendim do të hyjë në fuqi më 1 tetor të 2024.