Punëtorët teknik të Kuvendit të Kosovës do të hyjnë në grevë që nga java e parë e shtatorit.
Vendimi është marrë sot, ndërsa kjo është bërë e ditur nga kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi.
Sipas tij, punëtorët teknik të Kuvendit kanë deklaruar se nga shtatori nuk do të punojnë fare , deri në rritjen e pagës prej 450 euro.
“Ju njoftojmë se sot në takim me udhëheqjen e shoqatës sindikale të punëtorëve teknik që kryejnë shërbime në objektin e Kuvendit të Kosovës u mor vendim, se nga java e parë e shtatorit këta punëtor do të hidhen në grevë për shkak të pagave të tyre të ulta. Deri te kjo datë u shty për shkak të pushimeve vjetore të punëtorëve, dhe nga fillimi i shtatorit punëtorët deklarohen se më nuk do të punojnë fare, deri në rritjen e pagës 450 euro”, thuhet në njoftim.
Ky njoftim i është dërguar edhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcës, sekretarit të Kuvendit Arben Loshi, drejtorit të Administratës së Kuvendit Emrush Haxhiu dhe kompanisë së kontraktuar për mirëmbajtjen e Kuvendit.