Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Pushojnë hetimet ndaj tre zyrtarëve komunalë, Rama e quan fitore të drejtësisë

 
   

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pushuar hetimet ndaj zyrtarëve komunalë Fadil Aliu, Vehbi Mujku dhe Valbona Makiqi, pasi këta të fundit u ndaluan nga Policia e Kosovës për shkak të ngritjes së kallëzimit penal nga Ministria e Drejtësisë.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka bërë të ditur se hetimet janë pushuar me arsyetimin se nuk ekziston dyshimi se zyrtarët komunalë kanë kryer vepër penale për të cilën ata akuzohen.

“Shumë eksponentë politik tentuan të shfrytëzojnë këtë ndalim të padrejtë për kauzat e tyre politike, duke tentuar të njollosin imazhin e zyrtarëve tonë dhe për ta goditur qeverisjen tonë në kryeqytet. Por edhe në këtë rast sikur në rastin e stopimit të ndërtimit të Rrugës “Jim Xhema”, ata dështuan, drejtësia fitoi”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Shefi i Personelit të Komunës së Prishtinës Fadil Aliu, ish-drejtori i Qendrës për Punë Sociale Vehbi Mujku dhe shefja e Njësisë së Shërbimeve Sociale në këtë qendër Valbona Makiqi, u arrestuan më 8 shtator 2023 nën dyshimet se kanë punësuar rreth 10 persona në mënyrë të kundërligjshme dhe se njërin prej tyre e kishin punësuar si menaxhere për trajtimin e një rasti të dhunës seksuale, përkundër faktit se nuk kishte plotësuar kushtet ligjore.