Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Pushteti i vendosur për të vazhduar punën e Kuvendit, opozita e akuzon për dështim

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është e vendosur për të vazhduar punën e Kuvendit të Kosovës, pavarësisht përleshjes fizike në seancën e fundit dhe paralajmërimeve të organizatave të dala nga lufta se do t’i pengojnë deputetët të hynë në Kuvend, pas përjashtimit të tyre nga rritja e pagës minimale. Mirëpo, në Partinë Demokratike të Kosovës, e akuzojnë mazhorancën se përmes polarizimit të skajshëm me opozitën, po dëshiron t’i mbulojë dështimet e qeverisë. Në anën tjetër, monitoruesit e punës së Kuvendit thonë se tensionet në Kuvend kanë krijuar një klimë përçarëse brenda grupeve parlamentare në legjislativ dhe se mund të dëmtojnë mbarëvajtjen e rregullt të seancave plenare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja thotë se Kuvendi i Kosovës do të përmbyllë me sukses sesionin pranveror dhe se askush nuk mund të pengojë punën e këtij institucioni.

Ai deklaron se për shkak të vizitës së kryeparlamentarit Glauk Konjufca në Strasburg të Francës, nuk është mbledhur Kuvendi gjatë kësaj jave.

Deputeti i mazhorancës akuzon opozitën, në veçanti deputetët e PDK-së, se kanë tendencë për përdorim dhune në Kuvend, siç thotë ai, për shkak të humbjes së privilegjeve financiare që i kanë pasur më herët.

Muja: Kuvendi do të vazhdojë punën

“Kuvendi do të vazhdojë punën, sepse kështu është në kornizën e jetës sonë demokratike. Kuvendi duhet të funksionojë edhe nëse nuk funksionojnë institucionet të tjera. Duhet me pasë parasysh edhe opozita dhe ata të tjerët që bëjnë këso kërcënime. E para është jo që po e frikësojnë ndonjë kënd, pasi nuk është duke u mbërri efekti. E dyta, Kuvendi e ka një rol të veçantë në jetën tonë demokratike, pasi e ruan një lloj balance në shoqëri, prandaj është e rëndësishme të kuptojnë këta. E dyta, ka një kamuflim të motiveve dhe ne e vërejmë se opozita ka një tendencë dhunë, ky mund të jetë rasti i dytë apo tretë që kur unë jam deputet. Zakonisht motivet thonë Mimoza, Mimoza, por ata shkojnë tek financat pasi aty iu dhemb. Motivet janë ekskluzive financiare, humbja e privilegjeve që i kanë pasur më herët”, thekson Muja.

Mirëpo, të kundërtën e thotë deputeti i PDK-së, Ferat Shala. Ai deklaron se Qeveria Kurti po tenton t’i mbulojë dështimet e veta duke provokuar dhe sulmuar opozitën.

Shala: Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë

“Polarizimi rrjedh si rezultat i mosrealizimit të objektivave shtetërore të qeverisë. Në kuadër të dështimeve të tyre edhe politike, sferën ekonomike dhe atë të legjislacionit, tanimë është orvatur që përmes zëvendëskryeministrit dhe ministrave të caktuar të provokojë opozitën. Parimisht ka dy vjet që opozita ka qenë më shumë sesa e heshtur konstruktive, pasi vetëm në pjesën e legjislacionit kemi dhënë kontributin tonë maksimal që të tejkalohen sfidat që ballafaqohet shteti”, thotë deputeti opozitar.

Në anën tjetër, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj thotë se grushtimi në Kuvend ndërmjet ministrave dhe deputetëve të PDK-së, ka krijuar polarizim të skajshëm mes pushtetit dhe opozitës.

Kjo sipas tij, mund të cenojë punën e rregullt në seanca plenare, derisa potencon se legjislativi deri tani ka pasur performancë të dobët.

Jakaj: Ka polarizim të skajshëm në Kuvend

“Ajo çka ka ndodhur në seancën e kaluar të Kuvendit të Kosovës është si pasojë e polarizimit të skajshëm ndërmjet pozitës dhe opozitës, sidomos qeverisë dhe opozitës. Padyshim kjo ka ardhur si pasojë e një gjuhe të përdorur në legjislaturat e kaluara por edhe në këtë legjislaturë. Çdo aktivitet i tillë e cenon punën e rregullt në seancë plenare…Kuvendit i kanë mbetur shumë punë të pakryera deri në mbylljen e sesionit pranveror. Me nivelin e punës që e ka karakterizu këtë sesion, mund të themi se nuk dallon shumë nga ai i vitit të kaluar kur kemi thënë se Kuvendi ka pas performancë shumë të dobët”, shton Jakaj.

Rrahja në Kuvend (13 korrik) ka nisur gjatë kohës sa ka qenë duke folur kryeministri Albin Kurti. Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu i ka vendosur Kurtit në foltore një fotografi, në të cilën ai shihet me hundë të gjatë si “pinokio”. Ajo fotografi është larguar dhe shqyer nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.

Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku është afruar për ta lagur me ujë kryeministrin Kurti. Ministri Hekuran Murati është ngritur për të mbrojtur atë me një fashikull e Lushtaku është kthyer që ta lagë edhe Besnik Bislimin, i cili ka gjuajtur me shishe të ujit Lushtakun. Pastaj, aty janë afruar disa prej ministrave, deputetët e pushtetit e të PDK-së, të cilët janë përfshirë në rrahje.

Pas tensioneve, deputetët opozitarë janë larguan nga salla, ndërsa mazhoranca ka vazhduar seancën plenare, me ç’rast ka miratuar një sërë projektligjesh dhe vendimesh, mes tjerash edhe Ligjin për pagën minimale, pa i përfshirë kategoritë e dala nga lufta. Miratimi i projektligjit në fjalë ka nxitur reagimin e këtyre kategorive, të cilat kanë paralajmëruat se në seancën e radhës të Kuvendit, do të protestojnë dhe pengojnë hyrjen e deputetëve në objektin e Kuvendit.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës e ka kontestuar seancën e 13 korrikut, në të cilën janë miratuar këto projektligje, në Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre, është thirrur në shpërputhje me rregulloren e Kuvendit.

Po ashtu, AAK-ja e ka dërguar Ligjin për pagën minimale në Gjykatën Kushtetuese.