Rrebeshet e shiut kanë përfshirë edhe gjirin e Durrësit. Pushuesit kanë braktisur plazhet, ndërsa në qytet e përgjatë rrugës së plazhit ka qarkullim të rënduar automjetesh.
Përkeqësimi i kushteve atmosferike ka shkaktuar edhe dallgëzim në Adriatik. Aktualisht, forca e detit është 5 ballë duke penguar lundrimin e anijeve të vogla dhe çdo mjeti turistik. Edhe sektori i peshkimit ka pezulluar aktivitetin nën ndikimin e këtyre kushteve atmosferike.
Edhe qyteti bregdetar i Vlorës është përfshirë në një stuhi shiu me intesitet të lartë rreth orës 10, ku pushuesit nuk kanë mundur të bëjnë plazh. Edhe ata që kanë preferuar të shkojnë herët, janë kthyer në shtëpitë e tyre.
Si pasojë ka pasur edhe trafik të rënduar, ndërsa ka më shumë se 40 minuta që reshjet e shiut vijojnë pa ndalim.
Ndërsa policia kufitare ka apeluar që të shmanget lundrimi pasi deti ka dallgë me përmasa të mëdha që mund të rrezikojnë seriozisht jetën e tyre, dy tragete kanë mbërritur në port pa probleme.
Burimi: Top Channel