Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Putin: Luftëtarët e Wagner-it mund t’i bashkohen ushtrisë ruse ose të shkojnë në Bjellorusi

Presidenti rus, Vladimir Putin, i është adresuar kombit, pas rebelimit të armatosur të shefit të Wagner-it, Yevgeny Prigozhin gjatë fundjavës. Putin tha se luftëtarët e Wagner-it mund t’i bashkohen ushtrisë ruse, por ai shtoi se nëse ata nuk duan, ai do të mbajë premtimin dhe do t’i lejojë që të shkojnë në Bjellorusi.

Putin u tha rusëve se ata që organizuan rebelimin dëshironin që Rusia të humbë “dhe që shoqëria jonë të mbytej në gjak, por ata i bënë keq llogaritë”.

“I falënderoj ushtarët dhe komandantët e Wagner-it që nuk derdhën gjak: ju mund të nënshkruani kontratë me Ministrinë e Mbrojtjes [së Rusisë] apo të shkoni në Bjellorusi”, tha ai.

Gjatë adresimit të tij të shkurtër, Putin nuk e përmendi Prigozhinin, por tha se organizatorët e revoltës kanë tradhtuar popullin rus.

Sipas presidentit rus “shumica dërmuese” e grupit Wagner janë patriotë të Rusisë.

“Duke u kthyer [nga marshimi drejt Moskës], ata shmangën një gjakderdhje të mëtejme”, shtoi Putin.

Gjatë adresimit, Putin tha se të gjitha vendimet e nevojshme janë marrë që në fillim për të neutralizuar kërcënimin. Sipas tij, “rebelimi do të shtypej gjithsesi dhe organizatorët e kuptuan se veprimet e tyre ishin kriminale”.

Më herët gjatë 26 qershorit, shefi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, tha se qëllimi i marshimit të trupave të tij drejt Moskës ishte për të shpëtuar kompaninë e tij dhe jo një përpjekje për të rrëzuar Qeverinë ruse.

Në fundjavë, grupi Wagner, gjatë një rebelimi të shkurtër mori nën kontroll qytetin Rostov-on-Don, që gjendet në kufi me Ukrainën. Një grup i mercenarëve u nisën drejt Moskës. Por, Prigozhin vendosi që të tërhiqte trupat, pas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga lideri autoritar bjellorus, Alyaksandr Lukashenka.

Kremlini më pas kishte njoftuar se Prigozhin ishte nisur drejt Bjellorusisë, por në audio-mesazhin e publikuar më 26 qershor, shefi i Wagner-it nuk bëri të ditur vendndodhjen e tij.

Ky rebelim paraqiti kërcënimin më të madh për presidentin rus, Vladimir Putin, i cili ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Luftëtarët e Wagner-it po ashtu kanë marrë pjesë në luftimet në Ukrainë.

Prigozhin dhe Lukashenka, ndarazi kanë deklaruar se tërheqja e trupave të Wagner-it u bë për të parandaluar “gjakderdhjen” në Rusi. /REL/