Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Putin paralajmëron për rrezikun e një lufte bërthamore me NATO-n

Presidenti rus, Vladimir Putin, nisi fjalimin e tij vjetor drejtuar kombit më 29 shkurt duke paraqitur këndvështrimin e tij se si po përparon lufta kundër Ukrainës, për raportet e Rusisë me Perëndimin, kërcënoi me pasoja “tragjike” nëse NATO-ja dërgon trupa në Ukrainë.

“[Shtetet perëndimore] duhet ta kuptojnë se edhe ne kemi armë që mund të godasin caqet në territoret e tyre. E gjithë kjo, realisht kërcënon një konflikt me përdorim të armëve bërthamore dhe shkatërrim të njerëzimit. A nuk po e kuptojnë këtë ata?”, tha Putin.

Duke folur më pak se tre javë para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale, të cilat pritet t’i fitojë me lehtësi, Putin përsëriti narrativin se nisja e pushtimit në shkallë të plotë i Ukrainës ishte i nevojshëm për të mbrojtur sovranitetin e Rusisë dhe sigurinë.

“Pavarësisht vështirësive dhe shijes së hidhur të humbjeve, njerëzit e mbështesin këtë zgjedhje”, tha ai për “operacionin e posaçëm ushtarak”, formulimin që përdor Kremlini për t’iu referuar pushtimit të Ukrainës që Moska nisi në shkurt të vitit 2022.

Në pjesë e parë të fjalimit, që ai e mbajti para dy dhomave të Parlamentit rus dhe Këshillit të Federatës, ai u fokusua më shumë te Perëndimi, duke e akuzuar atë se “po tenton të na tërheq në një garë armësh”, duke “tentuar që të na lodhin”.

“Perëndimi nuk po tenton vetëm që të na pengojë në zhvillimin tonë; në vend të Rusisë, atyre u duhet një vend vdekjeje”, tha ai, duke shtuar se në të njëjtën kohë, Perëndimi “i ka bërë keq llogaritë”.

Më herët gjatë kësaj jave, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, pas një samiti të liderëve të Evropës të mbajtur në Paris, tha se pavarësisht se aktualisht nuk ka konsensus, nuk duhet të përjashtohet asnjë mundësi për të ndihmuar Ukrainën, përfshirë edhe dërgimin e trupave perëndimore për të luftuar përkrah Kievit, në mënyrë që të parandalohet një fitore ruse./rel