Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qelaj për Ombudspersonin në Hagë: S’ka interes për bashkëpunim

 
   

Avokat i Popullit, Naim Qelaj, ka shprehur shqetësimin e tij për proceset gjyqësore që po mbahen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në konferencën e fundit për këtë vit ku u prezantuan rezultatet e punës njëvjeçare, Qelaj ka thënë se Avokati i Popullit mund të kryejë vetëm një rol atje, dhe atë si mik i Gjykatës.

“Unë kam shprehur shqetësim në raport me ekipet mbrojtëse. Çdo hetim i mbrojtës lejon mundësi për dyshim dhe ndikim, dhe i qëndroj mbështetur kësaj deklarate. Do të jetë në interes të Avokatit të Popullit që të monitorojë disa nga seancat, sepse të gjitha nuk mundemi për shkak të kostos. Avokati i Popullit mund të kryejë vetëm një rol atje, si mik i Gjykatës”, ka deklaruar Qelaj, teksa ka shprehur kritika edhe ndaj Ombudspersonit për mungesë bashkëpunimi.

Ky i fundit ka rol në trajtimin e ankesave dhe do të bëjë verifikimin e shkeljeve të mundshme të të drejtave të njeriut, sipas konventës ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut.

“Ka një Avokat (Ombudsperson) të caktuar nga gjykata, dhe unë kam komunikuar me të. Kam parë që ai nuk shpreh interesin për bashkëpunim dhe nuk ka ofruar informata që mund të jenë publike. Duke pasur parasysh punën që po bën ky Avokat i Popullit atje, nuk është i standardeve dhe nuk i plotëson kërkesat që avokati duhet të jetë i pavarur dhe i paanshëm”, ka thënë Qelaj.