I pakënaqur dhe i zhgënjyer shprehet kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Qerkini nga puna që po bën Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Për Qerkinin ky komision nuk po i kryen detyrat e veta dhe nuk po i mbanë premtimet e dhëna, derisa thotë se ka pritur që sot të kishte gërmime në Veri të Kosovës.
‘’Unë kam pritur që sot të fillojnë me gërmime në pjesë të Veriut, por ata kishin shkuar me disa gërmime në Suharekë. Nuk jemi të kënaqur, por tepër tepër të zhgënjyer sepse nën një: nuk i kryejnë ato çka kanë premtuar, nën dy: nuk i informojnë familjarët kur dalin në terren dhe nën tre: nuk i informojnë familjarët me takimet të cilat duhet t’i kenë dhe kështu nuk jemi të informuar’’, shprehet Qerkini.
Ai thotë se janë të informuar vetëm nga mediet për atë që po ndodhë rreth gërmimeve.
‘’Të informuar jemi vetëm përmes mediave sepse ata nuk janë të interesuar me i informu familjarët, sepse kur gërmohet diçka dhe dikund, familjari duhet të jetë i informuar’’, u shpreh ai.
Qerkini thotë se ka pasur takim me zyrtarë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe ka qëndruar për rreth dy orë me ta, por që thotë se nuk ka pasur ndonjë sukses.
‘’ Takimin e fundit e kam pasur unë para një muaji me z.Kushtrim Gara dhe z.Halil Cenaj dhe aty kam qëndru gati dy orë tu i shpjegu gjërat qysh janë shku, qysh janë kthy, pa suksesshëm, ja kemi me bërë këtë ja atë, e unë nuk e di as çka kanë bërë e sot për gërmimet në Suharekë kemi dëgju nga familjarët sepse ata nuk na informuan’’ përfundoj Qerkini.