Avokati i licencuar nga Dhomat e Specializuara të Hagës, Artan Qerkini, i ftuar në ‘Info Plus’ ka thënë se Prokuroria e Speciales në Hagë kurrë s’arriti t’i respektoj afatet e përcaktuara. Madje, ai tha se jo vetëm kaq, me numrin e madh të seancave të mbyllura, është mbytur balanca e parimit të publicitetit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve.
“Prokuroria e Speciales në Hagë, nuk i ka respektuar afatet e veta, zakonisht janë zgjatë afatet dhe nuk ka mundur t’i kryej punët e veta brenda afateve. Gjykimi në emër të popullit do të thotë që publiku të bindet për provat dhe dënimin”, tha Qerkini.
Tutje, tha ai se Gjykata Speciale është gjykata e vetme në botë që mbanë shumicën e seancave të mbyllura.
“Kjo nuk është në frymën e të drejtës penale, që për ata që akuzohen për krime lufte, publiku duhet të dijë për çdo gjë, sepse transparenca e ndihmon gjykimin e drejtë. Kjo është një balancë tjetër që duhet ta gjeje gjykata, nga parimi i publicitetit që mbrohet e kushtetutë, dhe mbrojtjes së dëshmitarëve, gjykata nuk e ka gjet balancën e duhur, sepse shikuar nga aspekti statistikor rreth 75% të dëshmive që janë zhvilluar me dyer të mbyllura. Nëse 50% do të ishin transparente dhe 50% të ishin të mbyllura, që të paktën në aspekt statistikor të ketë një barazi”, tha Qerkini.
Ai tha se ideja e parimit të publicitetit është që edhe publiku t’i dëgjoj dëshmitë, dhe provat në mënyrë që të ketë mundësi ta krijoj vet bindjen për procesin, kjo siç tha ai, i është mohuar publikut kosovar, me numër të madh të seancave të mbyllura.
“Gjykata duhet të gjejë balancën ndërmjet parimit të publicitetit dhe mbrojtjes së dëshmitarëve. Gjykata i ka dhënë përparësi shumë të madhe mbrojtjes së dëshmitarëve karshi obligimit kushtetues që procesi gjyqësor të përcillet nga publiku”, tha Qerkini.
Ai tha se ky, proces është zvarritë për së tepërmi, sidomos në fazën përgatitore. “Nuk e kemi një pasqyrë shumë të qartë për faktin se seancat janë të mbyllura, nuk mund të themi se kemi informata, kur seancat janë të mbyllura, po të ishin seancat publike, secili qytetar do ta krijonte përshtypjen e vet se a janë provuar akuzat apo jo, me këtë ritëm të seancave të mbyllura është vështirë të vlerësohet procesi në tërësi”, tha Qerkini.
Ai tha se nuk ka arsye që të ketë kaq shumë seanca të mbyllura. “Gjykata Speciale është e vetëdijshme se ky proces ka zvarritje”, tha Qerkini.