Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, nëpërmjet rrjetit social “X” ka deklaruar se thirrja e Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm që strukturat ilegale të trajtohen me Asociacion është paraqitje mashtruese e asaj se si është menduar Asociacioni.
“Sugjerimi i EEAS në deklaratën e sotme – që strukturat ilegale në Kosovë duhet të trajtohen dhe të zgjidhen me Asociacion – është paraqitje mashtruese e asaj që Asociacioni ishte menduar të ishte ndonjëherë”, ka shkruar Përparim Kryeziu në gjuhën angleze.
Ndërkaq, të martën gjatë ditës, Bashkimi Evropian ka deklaruar se e ka parë me shqetësim operacionin policor të autoriteteve të Kosovës të së hënës në zyrat e Bankës së Kursimeve Postare serbe në veri të Kosovës.
Në një deklaratë të publikuar, Bashkimi Evropian ka thënë se ky aksion u bë pa paralajmërim dhe koordinim paraprak vetëm pak ditë pas takimit të fundit në Bruksel, ku siç theksohet në deklaratë, u trajtuar edhe çështja e kësaj banke.
Për BE-në aksioni i së hënës është përshkallëzues dhe bie ndesh me frymën e normalizimit të marrëdhënieve.