Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria e Serbisë paguan mbrojtjen për serbët e Kosovës të dyshuar për raste korruptive

 
   

Qeveria e Serbisë financoi avokatët që mbronin zyrtarët e akuzuar për korrupsion në gjykatat e Kosovës, shkruan BIRN.

Sipas BIRN, në të paktën dy procedura gjyqësore në vitin 2021, Qeveria e Serbisë financoi nga buxheti mbrojtjen e të akuzuarve për korrupsion.Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për qasje në dokumente publike në komunën e Leposaviqit tregojnë procedurën dhe sasinë e mjeteve që autoritetet serbe kanë ndarë për mbrojtjen e këtyre personave.

Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovën nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për koment deri në momentin e publikimit.

Dokumentet tregojnë se pesë avokatë – tre shqiptarë dhe dy serbë – kanë marrë fonde nga Qeveria e Serbisë për të mbrojtur serbët e Kosovës të akuzuar për korrupsion.

Tre avokatët, Asdren Hoxha, Faruk Korenica e edhe Shyqyri Syla, që deri para një kohe mbante edhe pozitën e kryeprokurorit të Mitrovicës, morën me mijëra dinarë serb që rrodhën nga Qeveria e Serbisë, qeveri e vendit që nuk e njeh Kosovën.

Në një përgjigje me shkrim për BIRN, avokati nga Mitrovica Shyqri Syla tha se në korrik të vitit 2021, Jelica Baraq e kishte kontaktuar atë, e cila akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare në komunën e Leposaviqit.

Dokumentet tregojnë se muaj pas kësaj, Qeveria e Serbisë ka lëshuar një faturë për 69 mijë dinarë serb (rreth 590 euro, sipas kursit aktual) për të mbuluar shërbimet Sylës, shkruan BIRN.

“Nuk e di nëse i janë rimbursuar ato mjete të pandehurit, sepse nuk më interesonte kjo, sepse e kam marrë pagesën nga i pandehuri”, ka thënë Syla në përgjigjen e tij me shkrim.

Asdren Hoxha, një avokat tjetër, sipas dosjeve, ka marrë 94.500 dinarë serbë (805 euro) në tri llogari të gjetura. Ai nuk pranoi të komentojë.

Ndër dokumentet që u gjetën në dosjen e Hoxhës ishte edhe vendimi i drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, për të punësuar avokatë kosovarë, ndërsa faturat ishin nënshkruar nga Zoran Todiq, kryetari i komunës së Leposaviqit, organ i njohur në Kosovë si strukturë paralele e kontrolluar nga Serbia, shkruan BIRN.

Siç thuhet, në dokumente gjendet logoja e institucioneve paralele nën mbishkrimin “Republika e Serbisë – Krahina Autonome e Kosovës”.

Në dosjen e tij rezulton se faturat janë dorëzuar në komunën qendrore të Kosovës, Graçanicë dhe më pas janë dërguar në Leposaviq, ku janë arkivuar.

Hoxha siguroi përfaqësim ligjor për të pandehurin e akuzuar si pjesë e një grupi shqiptarësh etnikë dhe pjesëtarë serbë etnikë të Policisë së Kosovës të akuzuar për kontrabandë. Gjykimi është duke vazhduar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Një avokat tjetër i kontaktuar nga BIRN, Faruk Korenica, tha se nuk ishte në dijeni që fondet për të akuzuarin e tij vinin nga Qeveria e Serbisë.

“Ajo që më intereson është marrëveshja… dhe futja e parave në llogarinë time. Nuk më intereson nëse i akuzuari merr para nga babai, xhaxhai apo Qeveria e Serbisë”, tha Korenica.

Qeveria e Serbisë paguan mbrojtjen për serbët e Kosovës të dyshuar për raste korruptive

Read more