Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qeveria ndanë milionat për t’ia kthyer Pacollit për Hotelin Grand

Qeveria e Kosovës ka mbajtur të shtunën në mbrëmje në të cilën ka ndarë mjetet financiare për të përmbushur obligimin e arbitrazhit për rastin ndaj Mabco Constructions në lidhje me Hotelin Grand.

Kjo kompani ka fituar gjyqin në arbitrazhin ndërkombëtar në fillim të muajit janar.

Avokati i kompanisë kishte deklaruar se shteti i Kosovës do t’i paguajë 7 milionë euro Mabco Construction.

Kjo kompani, në pronësi të Behgjet Pacollit, deputet dhe ish-president i Kosovës, pretendon se i është bërë padrejtësi, pasi ka paguar për aksione të hotelit që nuk i mori kurrë. Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka pranuar se do të duhet ta kryejë këtë pagesë, por ka theksuar se “Grandi do të mbetet në pronësi të Kosovës”.

Në gjithë procedurën për blerjen e Grandit, Zelqif Berisha dhe kompania e tij figuronin zyrtarisht si blerësit e vetëm.

Megjithatë, në atë kohë, pretendentë për aksionet e Grandit u bënë edhe kompania e Behgjet Pacollit, Mabco Construction, e regjistruar në Zvicër, si dhe biznesmeni tjetër nga Kosova, Remzi Ejupi, me kompaninë e tij Eurokoha Reisen.

Këta të dy, sipas deklarimeve publike dhe proceseve të mëvonshme gjyqësore, pretenduan se kishin arritur një marrëveshje me Berishën për të bashkëfinancuar blerjen e Grandit.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Berisha do të mbante 40% të aksioneve, ndërsa Mabco do të fitonte 40% të tyre dhe 20% të tjera do t’i takonin Eurokohës.

Mabco pretendoi se për blerjen e Grandit kishte bërë një transferim prej 4 milionë eurosh, para që u inkasuan nga AKP-ja.

Megjithatë, bashkëpronësia e kompanive të tjera nuk u njoh kurrë nga AKP-ja dhe nuk u zyrtarizua gjatë procesit, pavarësisht se dy kompanitë e tjera ndoqën çështjen ligjërisht në shumë instanca gjyqësore.

Përfaqësuesit e Zelqif Berishës kanë thënë po ashtu se kompania e tij ka bërë investime në Grand.

Çështja mbeti pezull deri në vitin 2017, kur Mabco Construction paraqiti një ankesë në Qendrën Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Kontesteve të Investimeve (ICSID), një gjykatë ndërkombëtare arbitrazhi në Uashington, duke kërkuar që kompanisë t’i ktheheshin paratë e paguara.

Në këtë gjykatë, Mabco u përball me Ministrinë e Drejtësisë së Kosovës, e cila e përfaqësoi shtetin në këtë procedurë.

Më 4 janar, Pacolli njoftoi përmes një postimi në Facebook se gjykata kishte vendosur në favor të kompanisë së tij.

“Vendimi i arbitrazhit ndërkombëtar është një obligim për Qeverinë që të kthejë shumën që Mabco e pagoi në vitin 2006 në llogarinë e shtetit”, shkroi Pacolli.

Ndonëse nuk e kanë publikuar vendimin, në faqen e ICSID-it figuron se vendimi për rastin e Mabco-s kundër shtetit të Kosovës është marrë më 3 janar.

Këtë vendim e ka konfirmuar, po ashtu në Facebook, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila pranoi se detyrohen ta bëjnë pagesën për Mabco-n, por se kompania nuk do të marrë aksione të Grandit.

“Pronësinë mbi pronën publike nuk ia lejojmë askujt. Prandaj, Grandi mbetet i Kosovës, e i qytetarëve të saj”, shkroi ajo më 4 janar.

Sa do të paguajë Qeveria dhe kur?

Sipas avokatit të Mabco-s, Shkumbin Asllani, shuma që shteti i Kosovës i detyrohet kompanisë është rreth 7 milionë euro.

Ai shpjegon se kjo shumë përfshin 4 milionë eurot e paguara nga Mabco në vitin 2006, si dhe interesin e vlerësuar dhe shpenzimet procedurale.

Gjithashtu, sipas tij, vendimi është i ekzekutueshëm menjëherë.

“Qeveria e Kosovës ka 60 ditë për ta ekzekutuar pagesën. Nëse nuk e bën, fillon rrjedhja e interesit”, thotë ai.

Sipas Asllanit, Remzi Ejupi dhe kompania e tij nuk ishin palë në këtë proces, të cilin kompania Mabco e ndoqi si e vetme./Paparaci.com