Qeveria në mes të pandemisë dhe fatit të saj politik

Pas nënshkrimeve të mbledhura, Lidhja Demokratike e Kosovës e ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë pjesë e së cilës ishte. Kushtetuta e saktëson që mocioni vihet në rend dite në Kuvend jo më vonë se pesë ditë apo më herët se dy ditë nga data e parashtrimit. Ndërkohë, Kosova po përballet me luftimin e përhapjes së koronavirusit dhe ndërtesa e Kuvendit nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e seancës në një situatë të tillë siç është kjo me pandeminë.

As gjendja emergjente në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, shkaku i përhapjes së Covid19, nuk i ka mbajtur bashkë partnerët e koalicionit qeverisës, Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Përçarja në mes tyre nisi kur LDK kërkonte heqje të menjëhershme të tarifës 100%, dhe u theksua kur kryeministri Albin Kurti shkarkoi nga posti i ministrit të Brendshëm, Agim Veliun e LDK-së.

Isa Mustafa, kur bëri të ditur se do të ngrisin mocion mobesimi për rrëzimin e qeverisë Kurti, deklaroi se nuk mund të qeverisë me dikë që rrezikon prishjen e partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që i shkarkon ministrat LDK-së.

E shefi i ekzekutivit tha se në qeverinë që drejton ai nuk mund të ketë ministra që mbështesin të tjerët jashtë qeverisë, ndërkohë i dalin kundër qeverisë në të cilën janë pjesë, meqë Agim Veliu ishte deklaruar se përkrah shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të koronavirusit.

Ndërkohë që ideja për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme kishte ardhur nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe kundërshtuar nga kryeministrit Kurti.

Krejt këto zhvillime në skenën politike po ndodhin në kohën kur Kosova, sikur e gjithë bota, po përballet me luftën ndaj Covid19, derisa janë mbyllur shkollat, lokalet, parqet dhe pezulluar të gjitha aktivitetet kulturore e sportive.

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus thotë për KosovaPress, se të dy partitë është dashur të jenë të përgjegjshme ndaj qytetarëve, duke mos krijuar krizë politike në kohën e pandemisë.

“Partitë është dashur të jenë më të përgjegjshëm karshi qytetarëve në radhë të parë, t’i lënë anash dallimet politike të cilat i kanë, edhe provokimet të cilat u bën me shkarkimin e zotit Veliu, por edhe imponimi qe taksa të hiqet në këtë kohë kur të gjitha vendet janë të fokusuara me problemet e tyre të brendshme, procesi i dialogut nuk është se po ndodh aktualisht, kjo çështje ka mundur të presë deri në tejkalimin e krizës dhe pastaj partitë të mirren vesh dhe të vendosin nëse dëshirojnë të vazhdojnë tutje. Por në ketë mënyrë ja në duke treguar pa siguri për qytetarët dhe vendosje të panikes sepse një qeveri e cila do të duhej të ishte 24 orë ne shërbim të qytetarëve në luftim të kësaj pandemie, tani energjitë e saj të fokusuara në fatin e saj politik”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, një qeveri e cila nuk ka besim dhe respekt të ndërsjelle është vështirë të funksionojë dhe ta përmbush planin e saj të cilin e ka paraparë.

Mocionin e mosbesimit në kohën kur në Kosovë po shënohen raste të infektuara me koronavirus, Krasniqi e sheh të gabuar meqë thotë se vendi ndodhet në një periudhë të vështirë.

Marrë parasysh situatën me dorëzimin tashmë të mocionit në Kuvend, Krasniqi thotë se ky institucion duhet të gjejë një ambient të përshtatshëm për të mbajtur seancën duke mos rrezikuar jetë të njerëzve aty.

“Besoj që do të duhej qe Kuvendi të shoh një ambient të përshtatshëm për të mos rrezikuar shëndetin e deputetëve. Një hapësirë të cilën e ka qeveria me rregulloren e saj të punës që të mbajë mbledhjen me korrespodencë edhe pa pasur nevojë që fizikisht të jenë ministrat aty, Kuvendi i Kosovës nuk e ka me rregullore një gjë te tillë të paraparë”, thotë ai.

Megjithatë, ai thotë se seanca mund të mbahet jashtë selisë së Kuvendit, në një hapësirë të përshtatshme.

Ai përmend vende të tjera në botë ku po dështojnë mbledhjet e parlamenteve, meqë deputetët nuk po rrezikojnë jetën e tyre.

Mocioni i mosbesimit i iniciuar nga LDK, që ka marrë mbështetjen edhe të partive opozitare, është dorëzuar dje në Kuvendin e Kosovës.

Në bazë të Kushtetutës, ai duhet të hidhet në votim gjatë javës që vjen.

Ndërkohë, aktualisht n ë Kosovë janë shënuar 24 raste të infektuara me covid19.

Si masë mbrojtëse, qeveria ka mbyllur kufijtë tokësorë, shkollat, lokalet e parqet, ndërkohë qytetarët janë udhëzuar të mbajnë distancë deri në dy metra me njëri tjetrin.