Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Qeveria pret qasje të re në dialog, kërkon sanksionimin e Serbisë

 
   

Qeveria e Kosovës po pret qasje të re nga ndërmjetësit në dialogun me Serbinë. Në ekzekutivin kosovar thonë se pas aktit të agresionit të Serbisë në veri, më 24 shtator, ka një situatë të re në këtë proces dhe se tani nevojitet siguri për Kosovën dhe sanksione për Serbinë. Sipas tyre, do të ishte inkurajim për Serbinë nëse për sulme terroriste nuk ndëshkohet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, thotë për KosovaPress, se kthimi në dialog do të varet nga vlerësimi i Kurtit dhe krenegociatorit Besnik Bislimi, por para kësaj, Bashkimi Evropian duhet të ndëshkojë Serbinë për sulmin terrorist në Banjskë dhe t’i qaset me seriozitet normalizimit të plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Zulfaj: Na duhet një qasje re në dialog

“Kjo varet sesi do të vlerësojnë kryeministri dhe kryenegociatori që janë pjesëmarrës direkt në dialog. Por ajo çka mund të them është se jemi vërtet në një situatë të re dhe sigurisht që dialogu duhet të sjell normalizim të plotë të marrëdhënieve. Nuk është dialogu vend ku shtyhen vijat e kuqe të Serbisë apo ku mbetën aty si mburojë. Këtë e kemi pasur prej kur e keni arritur aneksin në Ohër dhe marrëveshjen në Bruksel…Na duhet një qasje e re, na duhet që partnerët tanë t’i qasen normalizimit dhe marrëveshjes me seriozitetin e saj, ashtu që Serbia të kuptojë se çka ka pranuar”, thotë ai.

Zulfaj shton se marrëveshja e Brukselit dhe Ohrit për palën kosovare vazhdon të jetë obligative, pavarësisht se Serbia e ka shkelur në mënyrë flagrante me sulmin terrorist në veri.

Megjithatë, ai thekson se ujdia e dakorduar duhet të jetë e zbatueshme në tërësinë e saj dhe jo nene të veçanta të saj.

Zulfaj: Marrëveshja e Brukselit vazhdon të jetë e obligueshme, por Serbia e ka shkelur në mënyrë flagrante

“Me sulmin terrorist mbi Kosovën, Serbia e ka shkelur marrëveshjen në mënyrë flagrante, pasi do të duhej të përmbahej nga përdorimi i dhunës. Është shumë e qartë në marrëveshje se nuk mund të përdoret dhuna dhe Serbia e ka shkelur duke kryer sulm terrorist në Kosovë. Por kjo nuk është shkelja e vetme e marrëveshjes, është shkelur edhe kur është votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës dhe shkelur vazhdimisht edhe me deklarata dhe lobimin kundër Kosovën. Në këtë situatë për neve marrëveshja vazhdon të jetë e obligueshme në tërësinë e saj dhe lehtësuesi duhet të merr masa ndaj palës që ka shkelur marrëveshjen”, thekson Zulfaj.

Këshilltari i Kurtit thotë se provat janë evidente që Serbia qëndron prapa sulmit në veri, andaj duhet të ketë unitet në Bashkimin Evropian që të ndëshkojnë Serbinë.

Zulfaj: Do të ishte inkurajim për Serbinë nëse për sulme terroriste nuk ndëshkohet

“Politika e jashtme e BE-së, dinë të mos jetë unike në çështje shumë unike, por mendoj se në këtë pikë kur tashmë provat janë aq evidente, do të duhej të kishte unitet karshi marrjes së masave ndaj Serbisë, sepse po cenohet stabiliteti në Kosovë por edhe në rajon. Do të ishte një inkurajim për Serbinë që të marrë veprime të tilla nëse të tillat nuk ndëshkohen. Ky ka qenë një akt terrorist i Serbisë i cili nëse kalon pa u ndëshkuar është mesazh i qartë jo vetëm për dobësinë për Serbinë që tregohet, por edhe për inkurajimin që mund t’i bëhet presidentit të Serbisë që duke llogaritur në veto të ndryshme brenda BE-së të vazhdojë me një qasje të tillë që do të sjell destabilitet për rajonin”, deklaron ai.

Duke folur për masat e Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, ai thotë se të njëjtat duhet të hiqen një hapë e më parë.

Për një gjë të tillë, Zulfaj është optimist, teksa bënë të ditur se shumë shtete brenda BE-së, tashmë kanë bërë thirrje për heqje të masave ndaj Kosovës.

Zulfaj: Shumë shtete brenda BE-së kanë bërë thirrje për heqje të masave ndaj Kosovës

“Duhet të hiqen një hap e më parë, masat nuk duhet të mbesin qoftë edhe simbolikisht. Tashmë kemi një situatë tjetër që ne besojmë se shumë shtete brenda BE-së, tashmë kanë bërë thirrje për një gjë të tillë, por duhet të gjendet uniteti brenda BE-së”, përfundon Zulfaj.

Më 24 shtator një grup i armatosur terrorist ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku dhe i plagosur polici Alban Rashiti. Ndërkaq, u vranë tre sulmues të grupit terrorist, kurse katër prej tyre u arrestuan.