Çështja e automjeteve me targa ilegale të lëshuara nga Serbia të cilat po qarkullojnë rrugëve të veriut të vendit, vazhdon të mbetet sfidë për Policinë e Kosovës.
Veton Elshani, u.d. të drejtorit të policisë për rajonin e veriut, ka bërë të ditur, se policia ka pranuar qindra kërkesa të qytetarëve serbë të veriut për të regjistruar automjetet e tyre me targa të Republikës së Kosovës (RKS).
Sipas tij, qytetarë të shumtë të veriut kanë shprehur interesim edhe për përkthimin e patentë-shoferëve të lëshuara më herët nga sisteme të vjetra, në ato të Kosovës.
Ai theksoi se këto kërkesa të qytetarëve janë adresuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe janë në pritje të një vendimi nga qeveria.
Elshani ka potencuar se jeta në veri po i kthehet normalitetit gradualisht, ndërsa përmendi Serbinë si faktorin kryesor destabilizues të kësaj pjese të territorit të Kosovës.
Elshani: Serbia destabilizues në veri, policia po kryen punën e saj
‘Për neve brengë vazhdon të jetë targa KM, GL, PR, të cilat duhet të regjistrohen në RKS. Kemi pranuar me qindra kërkesa të qytetarëve nëpër rrugët e veriut të Kosovës, se kur do të ketë një afat të tillë. Kërkesën ne e kemi adresuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe besojmë tash me ndonjë vendim të qeverisë do të vendoset pozitivisht në kërkesën e qytetarëve të veriut të Kosovës. Poashtu kemi edhe problemin e patent-shoferëve, përkthimin e tyre, të cilat kanë qenë të lëshuara më herët nga sistemet tjera. Konsiderojmë se jeta po shkon tek normalizimi. Sidoqoftë e dimë se këtu vendi që e mban situatën nën tension, ose i cili mund ta destabilizojë situatën në përgjithësi, është Serbia. Kështu që ne konsiderojmë se problemi është tek shteti fqinj në lidhur me këto gjëra. Sidoqoftë, ne jemi duke kryer punën tonë aq sa mundemi’, ka thënë nënkoloneli Elshani.
Ndryshe, vendimi i Republikës së Kosovës për riregjistrimin e automjeteve që përdorin targa të lëshuara nga Serbia, ka hyrë në fuqi nga nëntori i vitit të kaluar.
Ky vendim u kundërshtua nga serbët lokal të cilët ngritën barrikada dhe krijuan kriza e tensione, të cilat çuan deri në largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës.
Afati i qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e targave serbe në Kosovë ka skaduar në prill të këtij viti, por ende nëpër rrugët e veriut ka automjete me targa të tilla.
Vlerësohet se mbi nëntë mijë targa me akronime të qyteteve të Kosovës sikurse KM, PR, PE, PZ, UR dhe të ngjashme, qarkullojnë në veriun e Kosovës dhe të cilave nuk u shqiptohen gjoba.
Burime të KosovaPress-it nga veriu bëjnë të ditur se pjesëtarët e policisë kanë marrë urdhër që t’i tolerojnë vozitësit me këto targa dhe mos të shqiptojnë gjoba ndaj tyre, sepse çështja e targave tani për tani është pezulluar deri në një afat të pacaktuar kohor.
Në anën tjetër, derisa Serbia pati propozuar që serbët në veri të pajisen me targa KS që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, kryeministri Kurti hodhi poshtë këtë propozim, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borell, pati pranuar atë kohë se targat mbeten ndër çështjet më të vështira për t’u zgjidhur.