Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Qindra të vdekur nga vërshimet në Afganistan

Qindra njerëz kanë vdekur dhe një numër i madh i tyre janë lënduar si pasojë e vërshimeve të shkaktuara nga reshjet sezonale, tha një zyrtar taliban të shtunën, pa dhënë shifrat të sakta.

Pjesa veriore e vendit pësoi përmbytjet më të mëdha. Provinca Baghlan ishte më e goditura të premten, me zyrtarët që raportuan fillimisht se së paku 50 njerëz humbën jetën dhe se shumë prona u shkatërruan në qarqe të shumta.

Në provincën e afërt, Takhar, mediat shtetërore raportuan se të paktën 20 njerëz u mbytën si pasojë e vërshimeve.

Zabihullah Mujahid, zëdhënësi i qeverisë talibane, shkroi në rrjetin social X të shtunën se “qindra njerëz vdiqën nga këto vërshime katastrofike, dersia një numër i madh njerëzish kanë pësuar lëndime”.

Mujahid nënvizoi se provincat Badakhshan, Baghlan, Ghor dhe Herat, kanë pësuar më së rëndi nga vërshimet.

Ai shtoi se “shkatërrimi i madh” ka rezultuar në “humbje të jashtëzakonshme financiare”.

Sipas tij, Qeveria ka urdhëruar grumbullimin e të gjitha resurseve për shpëtimin e njerëzve, transportimin e të lënduarve dhe nxjerrjen e trupave të viktimave.

Më herët, zyrtarët kishin thënë se në prill, para vërshimeve të së premtes, së paku 70 njerëz kishin vdekur nga reshjet e mëdha të shiut dhe përmbytjet në vend.

Rreth 2.000 shtëpi, tre xhami, dhe katër shkolla u dëmtuan, gjithashtu.

Tags: