
Anton Quni, anëtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka shprehur habinë e tij lidhur me postimin e Avdullah Hotit, ku ky i fundit kërkoi ndryshime në lidershipin e partisë.
Në një intervistë për median, Quni tha se gjatë mbledhjes së kryesisë, Hoti nuk kishte ngritur ndonjë shqetësim të përgjithshëm për rezultatin e LDK-së, por kishte shprehur pakënaqësi vetëm në lidhje me votat e diasporës.
Sipas tij, çështje të tilla duhet të diskutohen brenda strukturave të partisë dhe jo përmes deklaratave publike.
“Hoti nuk ka shfaqur brenda kryesisë ndonjë pakënaqësi, ka pasur pakënaqësi në lidhje me votat nga diaspora. Lidhje me përformancën e LDK-së, rezultatin e përgjithshëm, nuk ka pasur vërejtje të veçantë. Kur e kemi parë publikimin jemi befasuar, pse do të duhej të trajtohej në publik kur ka qenë mundësitë të trajtoheshin brenda kryesisë”, ka thënë Quni.